Rama: Protesta të pandalshme për kutitë
Aristir Lumezi
“Nëse Qeveria injoron rrugën parlamentare, do nisin protestat e pandalshme”. Në këtë mënyrë iu përgjigj dje kryetari socialist qëndrimit të maxhorancës dhe Kryeministrit Berisha dy ditë më parë në Parlament ndaj propozimeve të opozitës. Edi Rama gjatë komunikimit javor me gazetarët, një praktikë të cilën po e vendos në traditë, sqaroi pozicionin e opozitës përballë krizës politike dhe hetimit të zgjedhjeve. “Njëra nga rrugët e mundshme është rruga e Parlamentit, të cilën nëse ne do ta gjejmë të mbyllur, pa asnjë dyshim nuk do të heqim dorë nga përpjekja jonë, por pa humbur kohë, do ta kthejmë përpjekjen tonë në një protestë të pandalshme derisa të vihet në vend e drejta jonë”, u shpreh dje Rama në zyrën e tij në selinë rozë. Duke nënvizuar se çështja nuk do të mbetet pa u zgjidhur, Rama tha se nuk priste që zgjidhja e problemit të vinte nga Komisioni i Venecias, por nga maxhoranca dhe vullneti i Kryeministrit Berisha. “Ne nuk kemi nevojë të pyesim Komisionin e Venecias. KiE mund ta pyesë për t’u sqaruar vetë. Ne nuk presim të na zgjidhë problemin. Ne nuk kemi propozuar amendime të Kushtetutës, por amendime për të bërë me ligj që shumica në komisionin hetimor t’i takojë opozitës dhe për të ligjëruar transparencën e zgjedhjeve”, u shpreh Rama. Më tej kreu socialist përsëriti se protestat janë në axhendën e opozitës dhe nëse maxhoranca do të vazhdojë lojën e zvarritjes, do të përballet me valën më të madhe të protestave. “Protesta s’do ndalet pa garantuar votën e lirë” tha Rama. Kreu socialist i kërkoi faktorit ndërkombëtar të mos lejojë që kriza të rëndohet, pasi pasojat e saj do të jenë shumë të rënda. “Sot unë dua njëkohësisht t’i bëj apel komunitetit ndërkombëtar, për të mos lejuar që kjo krizë të rëndohet, në radhë të parë për shkak të refuzimit të Qeverisë për ta njohur krizën. Një refuzim i papranueshëm dhe një shprehje e papranueshme e shpërfilljes në fakt të vetë komunitetit ndërkombëtar, dhe të qëndrimit të tij të materializuar në një dokument si është Rezoluta e KiE, ku flitet për krizë”, u shpreh Rama. Dy janë arsyet që të zgjedhurit socialistë vendosën të betohen në seancën e djeshme parlamentare, shpjegoi kryetari socialist Edi Rama. Arsyeja e parë është shmangia e djegieve të 64 mandateve të deputetëve socialistë. “Sfidoj arkivat e gjithë mediave tuaja për të nxjerrë një herë të vetme, në një vend të vetëm, një deklaratë timen apo të cilitdo tjetër që ka thënë se do të djegim mandatet tona” tha Rama. Arsyeja e dytë është presioni i ndërkombëtarëve që nga dje t’i drejtohet qeverisë dhe jo më opozitës.