E Diel, 1 Nëntor 2026

PPE: I papranueshëm qëndrimi i PS-së për të hapur kutitë



Partitë e djathta në Parlamentin Evropian i bëjnë thirrje opozitës të heqë dorë nga kërkesa e saj për hapjen e kutive të votimit dhe të respektojë Kushtetutën. Ministrat e Jashtëm të Partive Popullore Evropiane u mblodhën gjatë një takimi në Romë nën drejtimin e kreut të diplomacisë italiane, Franko Frattini dhe zëdhënësit për politikat e Jashtme në PPE, Elmar Brok. Një seancë e veçantë u zhvillua me ministrat e vendeve jo anëtare të Bashkimit Evropian, ku u diskutua mbi politikën evropiane në Ballkanin Perëndimor, Partneritetit Lindor, mbrojtjen e energjisë dhe Kaukazin. Në përfundim të këtij takimi, Fratini dhe Brok hartuan një deklaratë për mediat, ku i kërkohet Partisë Socialiste të mos kërkojë më hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Si konkluzion i diskutimeve, z. Franco Frattini, Ministri i Jashtëm Italian dhe z. Elmar Brok, zëdhënësi për politikat e Jashtme të EPP në Parlamentin Evropian, bënë një deklaratë mbi situatën politike në Shqipëri: deklarojnë shqetësimin e tyre mbi situatën politike të krijuar pas zgjedhjeve demokratike të mbajtura në Qershor 2009; i kërkojnë partisë opozitare socialiste të pranojë rezultatin e konfirmuar nga KQZ, Kolegji Elektoral, Gjykata e Apelit dhe të gjithë organizatat vëzhguese ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për shtyp. Gjithashtu forcat e krahut të djathtë në Parlamentin Evropian i bëjnë thirrje opozitës të respektojë vendimet e gjykatave dhe KQZ-së. “E konsiderojmë të papranueshëm qëndrimin e partisë opozitare për të ri-hapur kutitë e votimit, që pengon zbatimin e reformave demokratike dhe ekonomike të nevojshme dhe urgjente për vendin. I kërkojmë opozitës të respektojë plotësisht Kushtetutën dhe Ligjin, duke përfshirë vendimet e Gjykatës dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, theksohet më tej në deklaratën e hartuar në përfundim të takimit. Partitë Popullore Evropiane, pjesë e të cilave është edhe Partia Demokratike në Shqipëri, kanë mbështetur qartazi qëndrimin e selisë blu në përgjigje të kërkesave të opozitës për hetimin e plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve të 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›