E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha mbron komisionin “Topalli” për hetimin e zgjedhjeve



Eljona Ballhysa
Pavarësisht qëndrimit kundër të ndërkombëtarëve, kryeministri Berisha ka dalë dje në mbrojtje të komisionit hetimor për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit që u miratua në seancë vetëm me votat e deputetëve të maxhorancës. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp me homologun e tij estonez, i pyetur për këtë komision, kreu i qeverisë, i cili nuk ka qenë i pranishëm në seancën kur është miratuar ngritja e këtij komisioni, u shpreh se transparenca e zgjedhjeve është plotësisht e mundur nëpërmjet këtij komisioni. Ndërkaq, ambasadori amerikan Withers dhe ambasadori Bosh e kanë cilësuar këtë komision të njëanshëm dhe të padobishëm. Kjo për faktin se deputetët e opozitës e kanë kundërshtuar ngritjen e tij dhe e kanë cilësuar të paligjshëm për shkak se ata tërhoqën nismën e tyre në seancë në momentin kur maxhoranca nuk premtoi hetim të pakufizuar të zgjedhjeve, duke nënkuptuar moshapjen e kutive të votimit.
Qëndrimi
“Përsa i përket qëndrimit të opozitës unë mund të theksoj se vendimi i Parlamentit për komisionin parlamentar për transparencë të plotë, për çdo gjë tjetër, përveç çështjeve për të cilat ka vendime gjykatash, është i parefuzueshëm për të gjithë ata që dëshirojnë transparencë”, - është shprehur kryeministri, ndërsa i ka cilësuar valën e re të protestave që po organizon opozita një të drejtë të patjetërsueshme të saj të garantuar me Kushtetutë.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Estonisë, që po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri me ftesë të kryeministrit Berisha, ky i fundit hodhi idenë e aplikimit në Shqipëri të votimit elektronik. “Lidhur me votimin elektronik unë jam plotësisht në favor të tij. Ajo çka unë do të propozoja është që anëtarë të komisionit të reformës zgjedhore, nga qeveria dhe nga opozita, të bëjnë një vizitë në Estoni dhe të shohin të gjithë praktikën që është përdorur nga ky vend për zgjedhje elektronike. Unë personalisht kam besim të plotë, nuk kam as më të voglin dyshim se thashethemet dhe frika në zgjedhje ndaj sistemeve elektronike janë provuar tërësisht të pabazuara. E vërteta është se këto sisteme po përdoren gjithnjë e më shumë dhe janë sistemet më transparente. Ne jemi të gatshëm që së bashku me opozitën të përcaktojmë procedurat më të mira, më transparente”, - është shprehur Berisha, duke iu referuar edhe praktikës së ndjekur nga Estonia.
Bashkëpunimi
Ndërkaq, bashkë me homologun e tij estonez, Andrus Ansip, kryeministri Berisha firmosi marrëveshjen dypalëshe për heqjen e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat. Të dy kryeministrat ranë dakord për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, si dhe në rritjen e hapësirave për investitorët estonezë në Shqipëri. Kryeministri Ansip u shpreh se Shqipëria duhet të ecë në rrugën e reformave dhe se Estonia do të mbështesë si liberalizimin e vizave për shqiptarët, ashtu dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Ka rëndësi që të vë në dukje se Estonia është mbështetëse e fortë e zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Eeropian. Do të duhet pak kohë, por shpresoj që ne të jemi së bashku në BE. Siç përmendi kolegu im, Estonia mbështet liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Mbaj mend sa e vështirë ishte për estonezët të shkonin në vendet fqinje, në Finlandë apo Britaninë e Madhe. Por, për të arritur deri këtu, Estonisë iu desh të ndërmerrte disa reforma. Madje, reforma edhe më të mëdha iu desh të ndërmerrte për t’u futur në Bashkimin Europian. Në Estoni këto reforma strukturore ne i realizuam me shpejtësi. Gjithçka që bëmë ne në Estoni e bëmë për vete, nuk e bëmë për Brukselin. Mund të themi se të gjitha këto reforma strukturore që ne i realizuam në Estoni i bëmë për veten tonë. Shqipëria ka bërë përpjekje të lavdërueshme gjatë 20 viteve të fundit. Por është e qartë që ne të gjithë duhet të vazhdojmë me ato reforma, me zhvillimet demokratike, ne në Estoni, ju në Shqipëri, dhe sigurisht mund të mbështesim njëri-tjetrin”, - është shprehur kryeministri i Estonisë.

Rezoluta, Komisioni i Ligjeve propozon shkarkimin e anëtarëve të Komisionit të Shërbimit Civil

Komisioni i Ligjeve kërkoi dje shkarkimin e anëtarëve dhe të kryetares së Komisionit të Shërbimit Civil, pasi prej një viti kanë bllokuar tërësisht punën e këtij institucioni. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Ligjeve është diskutuar raporti vjetor i Komisionit të Shërbimit Civil, por më shumë se me raportin, anëtarët e Komisionit të Ligjeve janë marrë me situatën konfliktuale mes anëtarëve dhe kryetares së Komisionit të Shërbimit Civil. Ky institucion merret me trajtimin e ankesave të nëpunësve, por për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme, nuk ka shqyrtuar asnjë ankesë gjatë një viti. Institucioni është bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve mes 3 anëtarëve dhe kryetares për arsye që nuk lidhen me ligjin, siç doli gjatë raportimit të tyre në Komisionin e Ligjeve. Kjo marrëdhënie në Komisionin e Shërbimit Civil duket se ka krijuar modelin më të papranueshëm të funksionimit të një institucioni shtetëror, apo siç e quajti njëri nga anëtarët, janë bërë qesharakë, ku anëtarët akuzojnë njëri-tjetrin për marrjen e vulës së institucionit, për mospjesëmarrje të qëllimshme për të dështuar mbledhjet dhe që kanë arritur deri në shkarkimin e kryetares nga tre anëtarët, vetëm kur ajo u ka ndërprerë 6 ditë rrogën për mosparaqitje në punë për disa muaj. Relatorja e Komisionit të Ligjeve, Arenca Trashani, bëri një vlerësim negativ për Komisionin e Shërbimit Civil. Por Komisioni i Ligjeve nuk është mjaftuar vetëm me këtë konstatim. Duke e cilësuar tejet të rëndë situatën e konfliktit mes 4 anëtarëve, në draft-rezolutën e tij, Komisioni i Ligjeve i quan të padenjë këta anëtarë për të ushtruar detyrën dhe i ka sugjeruar Kuvendit shkarkimin e tyre. Por, çështja mund të mbetet e pazgjidhur, pasi shkarkimi i tyre kërkon 84 vota, që do të thotë se nevojiten edhe votat e opozitës, e cila, deri tani nuk ka pranuar të votojë asnjë nismë ligjore pa u zgjidhur çështja e kutive. Megjithatë, për t’i paraprirë situatës së pamjaftueshmërisë së votave, në pikën e fundit të rezolutës, Kuvendi u kërkon anëtarëve të Komisionit të Shërbimit Civil që për sa kohë janë në ushtrim të detyrës, të kenë si prioritet të vetëm të detyrës së tyre zbatimin e ligjit. Në këtë projektrezolutë, Komisioni i Ligjeve nënvizon rëndësinë që ka zhvillimi i reformave në administratën publike, rritjen e performancës profesionale dhe eficiente të këtij institucioni përsa u përket ankesave të nëpunësve civilë, si dhe mbikëqyrjen e menaxhimit të Shërbimit Civil në nivelin qendror dhe lokal. Komisioni i Ligjeve kërkon ndërprerjen e menjëhershme të konflikteve të brendshme dhe risjelljen e normalitetit në funksionimin e këtij institucioni.

6 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›