E Diel, 1 Nëntor 2026

Ren: “Presim raportin e ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit”



Albert Gjoka

Bashkimi Europian po pret vlerësimin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri dhe më pas do të përcaktohet edhe fati i kërkesës për statusin e vendit kandidat. Një qëndrim i tillë ka dalë nga komisioneri për Zgjerimin, Oli Ren, gjatë një seance informuese të zhvilluar dje para Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Europian. Ai ka njoftuar se është përgatitur opinioni për kërkesën e bërë nga Tirana zyrtare gjatë presidencës çeke dhe do të dorëzohet në momentin që do të kërkohet nga Këshilli i BE-së. Po ashtu, zyrtari i lartë i BE-së ka njoftuar se do të shqyrtohen edhe një herë tjetër, në mesin e vitit 2010, reformat që kanë të bëjnë me heqjen e vizave me zonën “Shengen”.
Zgjedhjet
“Zgjedhjet e fundit në Shqipëri ishin më të mira se sa ato të viteve të mëparshme, ndonëse pati të meta”, - tha Ren para Komitetit të Çështjeve të Jashtme. Ai u shpreh se “jemi duke pritur raportin e OSBE/ODIHR-it për të marrë vlerësimin përfundimtar për mënyrën e administrimit të procesit. Le të shohim se çfarë do të ndodhë”. “Komisioni tashmë e ka përgatitur opinionin e tij rreth aplikimit të kërkesës së anëtarësimit të Shqipërisë në kohën që do ta kërkojë Këshilli”, - tha komisioneri për Zgjerimin.
Pak ditë më parë vizitoi Tiranën zëvendëskryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zoti Grosruk, i cili pohoi se zgjedhjet ishin më të mira se sa herët e tjera dhe më të mira se sa pritshmëritë e ndërkombëtarëve. Ndërkaq, dita e nesërme do të shënojë publikimin e raportit përfundimtar të zgjedhjeve nga misioni i OSBE/ODIHR-it, që do të drejtohet nga ambasadorja Odrei Glover.
Vizat
Komisioneri për Zgjerimin i Komisionit Europian, Oli Ren, ka folur para eurodeputetëve edhe për heqjen e barrierës së vizave për lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe boshnjakëve, të cilët nuk përfituan tani nga paketa liberalizuese. Ai pohoi se në mesin e vitit 2010 do të shqyrtohen edhe një herë kushtet që kanë të bëjnë me procesin. “Ne kemi si qëllim që Shqipëria dhe Bosnja të ndjekin rrugën e fqinjëve të tyre sa i përket liberalizimit të vizave. Nëse ata vazhdojnë reformat dhe plotësojnë kushtet, Komisioni Europian mund të bëjë një propozim në mes të 2010-ës dhe kjo do të ndikojë shumë pozitivisht në jetën e banorëve të këtyre vendeve”, - deklaroi Ren. Në këtë kuadër ai paralajmëroi se “shpejtësia e Shqipërisë dhe Bosnjës në rrugën e liberalizimit të vizave është në duart e qeverive dhe liderëve të këtyre vendeve”. Në përfundim të argumentit, Ren tha se “në momentin që propozimi ynë do të hyjë në fuqi, të gjithë shtetasit e Shqipërisë dhe të Bosnjës do të mund të hyjnë në vendet e zonës “Shengen” duke paraqitur vetëm pasaportat e reja, që sigurisht duhet të jenë biometrike. Komisioneri Ren raportoi dje për ecurinë e procesit të zgjerimit për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

3 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›