E Shtunë, 31 Tetor 2026

Linja Tiranë-Podgoricë peng nga shpronësimet e tokave

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Frika nga rreziku i linjës së tensionit të lartë dhe vonesat në shpronësime po rrezikojnë përfundimin në kohë të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë. Janë banorët e fshatit Gradec të komunës Kastrat të rrethit Malësi e Madhe ata që po bëhen pengesë për shtrirjen e linjave në tokat e tyre. Ata kërkojnë që të ndërpriten punimet për një investim të tillë për këtë linjë, pa marrë fund një herë e mirë vendimi për shpronësimin e tyre, si dhe zhvendosja e kësaj linje nga zona e banuar për shkak të rrezikshmërisë që sjell ajo për jetën e banorëve. Reagimi i banorëve ka ardhur jo vetëm nga fakti i moskompensimit, por edhe nga frika e përsëritjes së ngjarjes së ndodhur pak kohë më parë në një fshat tjetër të komunës Kastrat, ku nga shkëndijat që nxirrnin telat e tensionit të lartë, morën flakë pemët duke u rrezikuar banesat dhe jeta e banorëve. Madje në këtë rast humbi jetën dhe një elektricist i zonës në përpjekje për të riparuar defektin e kësaj linje. Ndonëse banorët e Gradecit protestojnë, nga ana ligjore duket i pamundur kompensimi, pasi gjatë viteve të para të demokracisë nuk u zbatua ligji 7501, por toka u shpërnda sipas kufijve të vjetër të pronave të trashëguara nga të parët e tyre. Këta pronarë edhe pse nga të gjithë njihen si të tillë nuk disponojnë asnjë dokument pronësie, duke mos e regjistruar pronën e tyre në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Banorët e fshatit Gradec kërkojnë të dinë dhe masën e dëmshpërblimit apo kompensimit të tyre para se të rifillojnë punimet e linjës së interkonjeskionit. Reagimi i banorëve ka sjellë dhe shoqërimin e disa prej tyre në komisariatin e policisë së Malësisë së Madhe. Firma zbatuese ka kërkuar rifillimin e punimeve, por ka qenë komuna e Kastratit që ka kërkuar pezullimin e përkohshëm të punimeve për të evituar acarimin e mëtejshëm të situatës, deri në gjetjen e një zgjidhje të përshtatshme për të dy palët. Burimet nga kjo komunë bëjnë të ditur se është kërkuar njohja si pronë e komunës dhe tërheqja e kompensimit nga pushteti vendor, pasi në Gradec jetojnë mbi 80 familje, që dëmtohen nga ndërtimi i kësaj linje tepër të rëndësishme si për vendin tonë, ashtu dhe për vendin fqinjë Malin e Zi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›