E Diel, 1 Nëntor 2026

Miku i Berishës në OSBE: Këto zgjedhje ishin më të miratNga TemaMiku personal i kryeministrit Sali Berisha, politikani konservator austriak, Wolfgang Grossruck, që aktualisht mban postin e zv/presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, i vlerësoi

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Miku i Berishës në OSBE: Këto zgjedhje ishin më të miratNga Tema

Miku personal i kryeministrit Sali Berisha, politikani konservator austriak, Wolfgang Grossruck, që aktualisht mban postin e zv/presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, i vlerësoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 si më të mirat që janë mbajtur ndonjëherë.

Grossruck ishte në krye të misionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, që monitoroi zgjedhjet në vendin tonë.

Grossruck nuk bëri të ditur se cili ishte qëllimi i vizitës së tij në vendin tonë pikërisht në këtë moment, disa ditë përpara se të bëhet publik raporti zyrtar i OSBE/ODIHR, ndërsa prezenca e OSBE nuk ka nisur ndonjë njoftim në lidhje me synimet e takimeve të tij.

Grossruck tha megjithatë se kishte pasur disa probleme, por se ato ishin teknike dhe do të zgjidheshin. Por deklarata e bërë një ditë pas zgjedhjeve, dhe e lexuar nga vetë Grossruck nuk e quante teknike përdorimin e makinerisë shtetërore në funksion të fushatës së Berishës.

Megjithatë, Grossruck e përdori këtë vizitë për të lavdëruar zgjedhjet, të cilat nuk kanë marrë ende pas kaq shumë kohësh asnjë vlerësim nga të huajt.

Takimi me Berishën

Në takimin që pati me kryeministrin, Sali Berisha, ky i fundit tha se kishte garantuar transparencë për këto votime.

“Të gjitha forcat politike, të cilat kanë pasur çdo lloj dyshimi për procesin e numërimit të votave, kanë pasur mundësinë që të marrin videot me pamjet filmike të numërimit, siç veproi Partia Socialiste, e cila mori videon e qarkut të Beratit. Për shkak të këtyre përmirësimeve, numri i ankesave nga rreth 400 që ishin në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005, u ul në mënyrë drastike në vetëm 34 ankesa. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve, edhe pas kundërshtive dhe debateve mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të propozuar nga forcat politike, KQZ miratoi çdo mandat dhe rezultatin e përgjithshëm me votim unanim 7-0”, - tha Berisha.

Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë njoftoi se Grossruck “shprehu kënaqësinë që zgjedhjet ishin të mira dhe pa tensione dhe se u konstatuan vetëm disa problem teknike. Ai u shpreh se raporti i OSBE/ODIHR, i cili do të dalë më vonë, do të përmbajë natyrisht rekomandime për përmirësimin e këtyre problemeve dhe ftoi autoritetet shqiptare t’i merrnin ato në shqyrtim”.

Raporti i ODIHR

Një ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve, vëzhguesit ndërkombëtarë të tyre dolën në një konferencë për shtyp, duke paraqitur vlerësimet. Për shkak se dita e votimeve nuk pati shumë probleme, vëzhguesit thanë se ky ishte një lajm i mirë, por ata paralajmëruan se do ishte me shumë rëndësi për vlerësimin e zgjedhjeve periudha e numërimit të votave, nxjerrjes së rezultatit dhe ankimimit.

Ditën pas zgjedhjeve, vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se zgjedhjet ishin shumë pak më mirë se paraardhësit, por standardet nuk u arritën. Sërish ata vlerësuan se do ishte periudha pasardhëse që do të vendoste vulën për standardet zgjedhore.

Por, një raport i ndërmjetëm i ODIHR për periudhën e numërimit ishte tepër i ashpër, duke vlerësuar se numërimi në një të tretën e qendrave të numërimit ishte i keq ose shumë i keq dhe se kamerat nuk e kishin ndihmuar transparencën. Kjo rriti gjasat që vlerësimi përfundimtar të ishte më negativ.

“Sa e bukur fitorja juaj e 1996”

Wolfgang Grossruck ishte i ftuari preferencial i zotit Berisha në Kongresin elektoral që PD organizoi në pranverën e vitit 2005, në prag të zgjedhjeve të 2 korrikut. Nuk është e vështirë të gjesh një ekstrakt të fjalës së tij me atë rast. Aq më pak e vështirë është të kuptosh se cilat janë pikëpamjet e këtij deputeti austriak për zhvillimet në Shqipëri dhe me çfarë syzesh i sheh ai ato që të tjerë evropianë si ai i kanë konsideruar krejt ndryshe. Ja një përmbledhje e përshëndetjes së Grossruck:

“I dashur mik, zoti Berisha, do të doja gjithashtu të thosha, të dashur miq nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Jam shumë i kënaqur që jam këtu për të marrë pjesë në Kongresin tuaj dhe siç e dini kam ardhur disa herë në Shqipëri. Për herë të parë erdha para 10 vjetësh dhe pashë me sytë e mi rrugën e suksesshme të Partisë Demokratike, zgjedhjet e vitit 1996. Më ka bërë shumë përshtypje fitorja juaj. Po, siç e dini ngjarjen, ish-komunistët erdhën përsëri në pushtet, por pas një dimri të gjatë do të vijë përsëri fitorja. Jam i bindur dhe shpresoj që zgjedhjet në qershor apo në korrik do të sjellin përsëri pranverën në fushën politike të Shqipërisë. Në zgjedhjet e kaluara të vitit 1996 ju patët parullën “Me ne fitojnë të gjithë” dhe tani ju keni parullën “Erdhi koha për ndryshim”. Jemi të bindur se është tamam koha për të bërë ndryshimin”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›