E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria mbyll dosjen e 14 shtatorit,

Pushohen akuzat ndaj 28 personave të pandehur, të akuzuar për pushtimin e televizionit, kryeministrisë dhe institucioneve të tjera në vend



Arsyetimi i pushimit të dosjes, ishte se disa vepra penale pas rikualifikimit ishin parashkruar dhe për disa nuk kishte autorë


TIRANË- Pas 11 vitesh maratonë gjyqësore Prokuroria vendosi arkivimin "kryengritjes" së 14 shtatorit 1998, duke e cilësuar ngjarjen si një krim i zakonshëm, "vjedhje me armë" e mbetur, pa autor. Mungesa e këtyre autorëve, sipas prokurorisë, ka bërë që dosja penale me 25 të pandehur shqiptarë dhe tre ish-agjentëve të shërbimeve sekrete jugosllave të pushohet e dhe të pezullohet për mungesë provash. Lajmi konfirmohet nga burimet pranë organit të akuzës dhe zyrtarë të lartë të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet. Këtu 28 të pandehurit po gjykoheshin në tri dosje të ndara nga gjyqtarët Gjin Gjoni, Ilir Çeliku e Artan Broci.
Ky i fundit, ende ka dosjen përkatëse në duar dhe pritet të tërhiqet nga prokuroria. Pak muaj më parë, në kohën kur prokurori i çështjes duhej të lexonte konkluzionet përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj të pandehurve: Sali Lusha, Izet Haxhia, Dem Dollapi, Kliton Dobrani, Myftar Lumneshi dhe N.N.ish-agjenti jugosllav, që gjykoheshin nga gjyqtari Gjin Gjoni, përfaqësuesi i akuzës kërkoi tërheqjen e akteve hetimore me qëllim plotësimin e dosjes. Kjo kërkesë u miratua nga gjyqtari Gjoni.

Por vetëm pak ditë më parë, me firmën e kryeprokurorit të kryeqytetit, Gent Xholi, kjo dosje u arkivua përfundimisht. Nga burime zyrtare, mësohet se argumentimi i këtij veprimi, ka qenë se të gjashtë të pandehurit e dosjes së parë, nuk kanë kryer veprën penale të "Kryengritjes" në trazirat e 14 shtatorit 1998, në ditën e varrimit të deputetit Azem Hajdari. Nga rivlerësimi i kryer, ka rezultuar se ato veprime i përkisnin tri veprave të tjera penale, duke bërë që akuza ndaj tyre të riformulohej.

"Në analizën e provave dhe fakteve të grumbulluara që nga dita e ngjarjes e deri më tani, rezulton se ngjarja e 14 shtatorit 1998 nuk ka qenë një "kryengritje", pasi të akuzuarit nuk kishin si qëllim të tyre cënimin e Rendit Kushtetues, por vetëm zëvendësimin e qeverisë me një qeveri teknike deri në zgjedhjet e parakohshme"-thuhet në dosje. Më tej në të cilësohet se "kryengritja", duhet të kishte një plan veprimi, organizatorë, etj.

Për këto fakte dhe prova, sipas akuzës, është konstatuar se asnjëri nga të pandehurit nuk ka kryer veprën penale të "Kryengritjes", por, "vepra të dhunshme ndaj pasurisë"; "krijimit të turmave të armatosura" dhe "vjedhjes me armë". Për këtë rikualifikim ligjor janë përdorur, sipas akuzës, kërkesat e drejtuara ish- Presidentit të Republikës, Rexhep Meidani, ku i kërkohej zëvendësimi i qeverisë dhe jo të cenohen institucionet e pavarura shtetërore. "Nga analizimi i provave dhe fakteve është provuar se të pandehurit Sali Lusha, Izet Haxhia dhe Dem Dollapi kanë kryer veprën penale të "Krijimi i turmave të armatosura", për të cilën nuk mund të akuzohen pas 11 vitesh, pasi vepra është parashkruar (ka kaluar mbi 10 vjet, sa parashikon ligji dënimin). Edhe për akuzën e "Veprave të dhunshme ndaj pasurisë", me ndryshimet e Kodit Penal në vitin 2007, nuk ekziston më pasi dhe ligji nuk ka prapaveprim. Kështu akuzat ndaj tyre pushohen automatikisht.

Për të pandehurit Kliton Dobrani, Myftar Lumneshi dhe ish-agjenti jugosllav me inicialet N.N, organi i akuzës nuk arrin të provojë akuzat ndaj tyre",-thuhet në dosjen e pushuar. Në analizë të provave dhe fakteve, sipas prokurorisë, arsyetimi i vetëm ligjor që mbetet për ngjarjen e 14 shtatorit 1998 është ajo e "vjedhjes me armë". Për këtë krim, nuk mund të identifikohen personat që kanë kryer vjedhjet gjatë këtyre trazirave në Gardën e Republikës, Kryeministri, Radio Televizionin Shqiptar e institucione tjera.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›