Rama: Qeveria ka dështuar, ka 1 milionë të papunë

Kryesocialisti Edi Rama ka deklaruar se qeveria ka dështuar për sa i përket politikave të saj për punësimin pasi sipas tij në Shqipëri ka 1 milionë të papunë.
Duke folur në tryezën e PS-së për punësimin, Rama theksoi se programi për një “Rilindje Shqiptare”, synon që t`i ofrohet mundësi punësimi për çdo njeri i aftë për punë.
“7 vjet qeverisje nuk kanë arritur të ndryshojnë asgjë në drejtim të punësimit. Është kapërcyer shifra e 1 milionë të papunëve që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar. Asnjë reformë nuk ka sjellë punësimi: As Shqipëria 1 euro, as Shqipëria superfuqi energjitike. Punësim nuk ka sjellë as mbjellja imagjinare e miliona ullinjve dhe as taksa e sheshtë. Madje, kjo e fundit ka thelluar hendekun mes një shumice dhe një pakice pak të paguar”, tha Rama.
Ai më tej akuzoi INSTAT se nuk publikon të vërtetat e realitetit shqiptar. “Nëse pranohet se në çdo dy shqiptarë në moshë pune, vetëm njëri punon, atëherë pse qenkan të pavërteta konstatimet tona se janë 1 mln të papunë? Të gjithë ata që e kundërshtojnë këtë, nuk janë në gjendje të japin shifrën zyrtare”, deklaroi kryesocialisti.
Rama gjithashtu ka theksuar se programi i PS-së mbështet në katër shtylla të cilat do të bënin të mundur rritjen e punësimit në shqipëri. “Vizioni ynë mbështet në katër shtylla si rritja ekonomike e qëndrueshme mbi një model të ri ekonomik që nuk bazohet tek rritja pa punësim por tek punësimi përmes rritjes, kordinimi i politikës së tregut të punës, hapja e sektorit të punëve publike për të papunës dhe në fleksibilitet në marrëdhëniet e punës” shtoi ai.
Kreu i PS-së gjithashtu theksoi se qeveria është e paaftë të përballojë papunësinë rinore dhe për këtë i ka kthyer universitetet në një strehë për të papunët. “Universitet janë kthyer në strehë për të papunët dhe kur politika e gjurulldisë totale me arsimin e lartë që niset nga paaftësia për të përballuar papunësinë rinore dhe nga strategjia kundër interesit kombëtar dhe publik që tu hapim dyert dhe ne që jemi në qeveri të mos të kemi përballë një numër të konsiderueshëm të papunësh gjatë 4 viteve që jemi në pushtet” theksoi Rama.
Rama gjithashtu theksoi se me ardhjen në pushtet të socialistëve do të dhjetëfishohet financimi publik për punësimin. “Ne besojmë se duke vlerësuar rezervuarin e madh të papunësisë dhe punësisë në fshat mund të shënjestrojmë objektivin e 300 mijë vendeve të reja të punës. Nëse Shqipëria do të zgjidhë problemin e ekonomisë, një moment për ta bërë është rritja e ekulibrit gjinor”, shtoi ai.
vijon..