E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama Qeveria peng projektin e furnizimit me energji te Kosoves

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama akuzoi qeverinë se po mban peng projektin për furnizimin me energji të Kosovës, duke përmendur mediat e Kosovës, që e lidhin bllokimin e projektit me kryeministrin shqiptar.

"Bllokimi i projektit po pengon pavarësinë energjetike të Kosovës. Propozoj një interpelancë me Kryeministrin më qëllim që të zhbllokojmë projektin. Qeveria duhet të garantojë realizimin e këtij projekti pa humbur kohë", tha Rama në mbledhjen e grupit kuvendor socialist.

Rama ndër të tjera u shpreh se nuk pret një përgjigje të sinqertë nga Kryeministri, por theksoi se ndërsa sot projekti duhet të ishte drejt përfundimit, kjo nismë mbahet peng duke bllokuar një donator të fuqishëm dhe bujar, që sipas Ramës, është Gjermania. "Ne e dimë shumë mirë se si funksionon ky shtet i kapur për interesat e pushtetit. Interesi kombëtar nuk i dhimbset kryeministrit, kur është në lojë uria e oborrit", tha Rama.

Ndërkohë gjatë fjalës së tij, Rama shprehu besimin se grupi parlamentar do të angazhohet shumë fuqishëm për debatin për strukturat tatimore dhe akcizat.

"Kriza sot e ka tkurrur ekonominë, i ka ulur financat publike të vendit dhe ka vënë në vështirësi familjet shqiptare. Jemi realisht përballë një kërcënimi të një falimentimi që nuk ka ndodhur kurrë më parë", tha Rama, duke theksuar se me verbërinë e qeverisë së sotme dhe me politikat  e saj aventureske dhe fiskale ka vetëm rrënim të mëtejshëm.

"Një kthesë radikale të politikave ekonomike, është sot domosdoshmëri që e garanton vetëm projekti ynë për një Rilindje Shqiptare", tha Rama.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›