E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Hungaria, marrëveshje “të paqartë” bashkëpunimi financiar



Qeveria shqiptare dhe ajo Hungareze firmosën dje marrëveshjen “Për Krijimin e një Programi Kuadër për Bashkëpunim Financiar”. Marrëveshja që kishte në thelb mbështetjen financiare të një sërë projektesh me prioritet të lartë, nuk bënte të ditur asnjë nga sektorët prioritar se ku do të financoheshin këto projekte. Po ashtu marrëveshja në fjalë nuk dha asnjë shifër konkrete se sa do të jetë shuma që do të ofrohet në formën e grandit për financimet e ndryshme. Të vetmet detaje që u bënë të ditura dje nga zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu ishin ato se, përfitues të këtyre financimeve do të jenë ministritë dhe pushteti vendor. "Gjithçka do të kalojë në një proces konkurrimi, nga i cili do të përfitojnë ato institucione që do të përgatisin më shpejt projektet më të mira" – tha numri dy i Financave, Shehu. Nëpërmjet marrëveshjesh të veçanta kredie me terma koncensionare dhe do të rregullohen të gjitha financimet e qeverisë hungareze në Shqipëri, sipas prioriteteve të dy vendeve. "Vetëm në vitin 2008 janë rritur me 50 % investimet hungareze në Shqipëri, ndërsa janë shumëfishuar investimet shqiptare në Hungari"- tha ambasadori hungarez në Tiranë, Sandor Molnari. Sipas tij, me nënshkrimin e marrëveshjes do të ketë biznese të mëdha hungareze që do të vijnë në Shqipëri. Projektet të cilat do jenë objekt i zbatimit të kësaj marrëveshje, do të përzgjidhen nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe do të realizohen nga eksportues hungarezë. Delegacioni hungarez përbëhej nga përfaqësues të Bankës Hungareze Eksport-Import (Eximbank) dhe të shtatë kompanive hungareze më të suksesshme që operojnë në rajon, si “Kea Ago Legato”, “Gentely ZRT”, “GE tlealtlicarl”, “Nas Informetics”, “Isoplus”, “Neumann Fokus Ltel” si dhe “Zenan Systems”.

30 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›