Rama: Qeveria, skemë korruptive me ullinjtë
Kryetari i PS-së, Edi Rama e cilësoi dje si skemë korruptive planin e qeverisë për të mbjellë 20 milionë rrënjë ullinj. “Sot, dua të nënvizoj atë që është fare e qartë pas Shqipërisë “ullishte”, ku në fakt kemi të bëjmë me një skema të madhe korruptive të radhës së një Kryeministri që me fatet e Shqipërisë e të pasurive të saj natyrore e publike po bën kërdinë për interesat e oborrit të tij”, u shpreh dje kreu i PS gjatë një konference shtypi në kodrat e liqenit. Sipas Ramës, fillimi i kësaj skeme është VKM Nr. 547, datë 22.8.2007, me anë të të cilit Këshilli i Ministrave ka autorizuar zbatimin e koncesioneve në sektorin e bujqësisë dhe të ushqimit. “Në bazë të ligjit për koncesionet, bazuar në studime, kjo Ministri duhej të identifikonte, paraqiste për miratim dhe shpallte koncesionet e mundshme në këtë sektor (neni 9/1). Ajo duhej të identifikonte, gjithashtu, listën e aseteve që, në raste të veçanta, mund të ofroheshin me koncesione me çmimin simbolik 1 Euro, ta paraqiste për miratim në Këshillin e Ministrave (neni 4/3) dhe ta bënte publike këtë listë për të tërhequr investitorët e interesuar vendas e të huaj”, u shpreh Rama.