Klosi: PD po mbush administratën me militantë
PS reagoi dje pas vendimit të qeverisë për punësimin e mbi 1600 punonjësve të rinj në administratë, pak muaj para zgjedhjeve. Përmes një deklarate për shtyp, Sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi e ka konsideruar këtë vendim si shumë shqetësues, për faktin se i lë dorë të lirë qeverisë për të punësuar militantët e saj jashtë çdo kriteri të ligjit të shërbimit civil. “Ky vendim i miratuar në nisje të fushatës elektorale, vetëm 145 ditë nga dita e votimit, për ne është shumë shqetësues pasi i jep qeverisë së Sali Berishës mundësinë të punësojë me qëllime të pastra militante, jashtë çdo kriteri të ligjit të shërbimit civil, 1600 militantë të partisë në pushtet” - ka deklaruar Klosi për mediat. Ndërkohë Klosi i ka kujtuar kryeministrit se ky është një vendim që bie në kundërshti të plotë me atë që ka deklaruar më parë për qeveri “në dietë” dhe për shkurtime administrative.