Hoxha: Duhet të ecim sa më shpejt drejt heqjes së vizave
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Ferit Hoxha, i pranishëm në tryezën e organizuar nga Lëvizja Evropiane dha vlerësimet e tij për ecurinë e Marrëveshjes së Lehtësimit. Sipas tij, me kalimin e viteve dhe zhvillimin e vendit e shoqërisë, domosdoshmëria për të lëvizur është bërë edhe më e madhe. "Ngelem disi i paqartë për faktin nëse numri i personave të intervistuar është i mjaftueshëm për të arritur në këto konkluzione apo koha në të cilën është bërë vëzhgimi. Vëzhgimi duket të jetë bërë në momentet e para të zbatimit të marrëveshjes, çka mund të na çojë në konkluzione që mund të jenë ndoshta të parakohshme", theksoi Hoxha. Sipas tij, Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave është një ushtrim i ri për të gjitha palët. "Ne, tha ai, kemi theksuar që në momentet e para të negocimit se bëhet fjalë për një marrëveshje të mirë, tranzitore, pasi vet marrëveshja thotë se është një hap drejt liberalizimit të vizave". "Natyrisht që ky ushtrim, si hap i ndërmjetëm, bëhet për sa kohë ende jo në të gjitha vendet e BE-së ishte pjekur mendimi për nevojën e heqjes së vizave", u shpreh Hoxha. Do të thosha, vijoi ai, se nga ato 20 kategori që përfshihen është më shumë se sa gjysma e shoqërisë shqiptare e përfshirë në këtë skemë. "Në paraqitjen që u bë nuk thuhet se çfarë ndryshimesh ka sjellë, sa është rritur numri i aplikimeve, numri i vizave apo vizave afatgjata. Në këndvështrimin e qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Jashtme që merret drejtpërdrejt me marrëveshjen, ne mendojmë se ajo ka ecur mirë", konstatoi Hoxha. Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme tha se nuk i kemi të dhënat e sakta për të folur me shifra, por kjo do të bëhet kur të mblidhet për herë të dytë komisioni përkatës për monitorimin e marrëveshjes. "Kemi bërë një takim në prill dhe takimi i radhës do jetë brenda këtij viti, mes nesh negociatorëve dhe BE-së. Në njëfarë mënyre, kemi arritur në kufijtë e këtij afati për të parë se ku jemi me zbatimin e marrëveshjes", vlerësoi Hoxha. Çdo lloj mekanizmi tjetër, tha ai, qoftë edhe lehtësim i lehtësimit, nuk do mund të kënaqë në masën 100% dëshirën dhe mundësitë e qytetarëve shqiptarë për të udhëtuar. "I vetmi mekanizëm që mundëson realizimin e dëshirës dhe mundësinë për të udhëtuar është heqja totale e vizave. Jemi të bindur dhe po negociojmë për t‘u treguar argumentet tona se pse duhet të ecim sa më shpejt drejt liberalizimit të vizave", u shpreh Hoxha. Ne kemi shfaqur mendimin tonë, vijoi ai, se në raste të veçanta është e nevojshme shtimi i stafeve nga disa konsullata. Teksa sqaroi se për të shpejtuar procedurat dhe ulur kohën e pritjes nga momenti i kontaktit tek intervista ka disa hapa që mund të merren që janë; për një numër prej tyre shtimi brenda mundësive i burimeve njerëzore dhe dhënia e vizave afatgjata. "Në lidhje me numrin e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, kjo është një histori e trashëguar nga koha kur mundësia shumë e kufizuar e lëvizjes ka çuar qeverinë natyrshëm në gjetjen e mekanizmit më të favorshëm për personat që përfaqësojnë pozicione, ku për nga funksioni kanë pasur të domosdoshme të udhëtojnë. Me avancimin më të shpejtë drejt procesit të liberalizimit të vizave ka arsye të shikohet edhe ky aspekt", nënvizoi Hoxha.