Vizat, shqiptarët të fundit në rajon
Shqiptarët janë shtetasit më të diskriminuar në rajon përballë ambasadave të huaja kur aplikojnë për një vizë. Lëvizja Evropiane në Shqipëri (EMA) kreu në intervalin 11-mujor një hulumtim në terren rreth nivelit të zbatimit të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave mes Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian. Dje, drejtuesit e kësaj organizate, publikuan disa nga gjetjet e këtij raporti. Dokumenti që hyri në fuqi më 1 janar 2008 synon kryesisht lehtësimin e procedurave të pajisjes me vizë për qytetarët shqiptarë, heqjen e tarifës së vizës për kategori të veçanta aplikantësh dhe ruajtjen e saj në kuotën e 35 eurove për qytetarët e tjerë. Megjithëse pritej të sillte ndryshime në procedurat e pajisjes me vizë për shtetasit shqiptarë, këto procedura vazhdojnë të jenë të komplikuara dhe të paharmonizuara ndërmjet konsullatave të ndryshme Shengen. Mënyra dhe kohëzgjatja e lënies së një takimi për intervistë, oraret e ndryshme të aplikimit për vizë, konvertimi i ndryshëm i tarifës së vizës prej 35 eurosh që sanksionon Marrëveshja, apo marrja e vendimit për dhënien ose jo të vizës vazhdojnë të mbeten problematika të paharmonizuara ndërmjet konsullatave Shengen. Një prej funksionarëve të EMA-s, Ilir Qorri, tha se kostot e aplikimit për vizë të një qytetari shqiptar shkojnë në rreth 9000 lekë, çka e bën një vizë Shengen shumë të kushtueshme. Kjo kosto përfshin tarifën e vizës dhe një listë dokumentesh në mbështetje të aplikimit për vizë. Sipas raportit, refuzimi i vizave Shengen ndaj qytetarëve shqiptarë ka qenë mesatarisht 23% në vitin 2007. Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave ka sjellë një impakt pozitiv te qytetarët që i përkasin të paktën njërës prej kategorive që përfitojnë nga regjimi i lehtësuar i vizave. Kjo kategori refuzohet 21%, ndërsa aplikantët që nuk i përkasin asnjë prej kategorive të Marrëveshjes refuzohen 30%. Megjithatë, shkalla e refuzimit të Shqipërisë vazhdon të mbetet rreth 26%, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 14%. Drejtuesi i Lëvizjes Evropiane, Ditmir Bushati, konstatoi se shqiptarët janë qartësisht në një pozicion më të pafavorshëm në raport me qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kur vjen puna për t‘u pajisur me viza siç tregojnë shifrat e mëposhtme. Refuzimi i vizave në Shqipëri rezulton të jetë 26%, në Serbi 13%, në Maqedoni 11%, në Mal të Zi 6% dhe në Bosnjë Hercegovinë 4%. Lëvizja Evropiane në Shqipëri rekomandon që të përmirësohet si në terren ashtu edhe në faqet e internetit transparenca e informacionit në lidhje me aplikimin për vizë në konsullatat Shengen. Konsullatat e vendeve Shengen, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, duhet të zëvendësojnë linjat e komunikimit përmes numrave me vlerë të shtuar me linja fikse, çka do të ulte ndjeshëm koston e aplikimit për vizë. Një tjetër propozim është që konsullatat me numër më të madh aplikantësh të shtojnë burimet njerëzore dhe kapacitetet e tyre përpunuese, në mënyrë që koha e shqyrtimit të një aplikimi për vizë të jetë sa më e shkurtër. "Roli i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë është i një rëndësie të veçantë, sidomos në informimin e qytetarëve në lidhje me situatën. Ministria duhet të akordojë më tepër burime njerëzore dhe financiare që merren drejtpërsëdrejti me problemet e aplikantëve për viza dhe të ofrojë më shumë burime informacioni për të gjitha kategoritë e personave", theksoi Ditmir Bushati. Sipas tij, Ministria e Punëve të Jashtme duhet të ndërmarrë një fushatë sensibilizuese dhe të parashikojë në buxhetin e saj vjetor një zë të posaçëm në lidhje me informimin e qytetarëve. Ndërsa qeveria shqiptare duhet të ndërtojë një sistem të dhënash për 18 kategoritë përfituese nga Marrëveshja, pasi është e vështirë për një konsullatë Shengen në Tiranë të vlerësojë realisht se cilat nga organizatat jofitimprurëse të regjistruara në përputhje me legjislacionin shqiptar, shoqatat e të përndjekurve politikë, shoqatat e gazetarëve, operatorët turistikë, etj. janë të besueshme.
Kërkesa
Bushati: Kufizoni pasaportat diplomatike
Drejtuesi i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Ditmir Bushati, deklaroi dje se kemi të bëjmë me një draft raport dhe si i tillë ai mund të ndryshojë në vijimësi. Në fjalën e tij, ai i kërkoi sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, i pranishëm në tryezë, që të angazhohej për reduktimin e kategorive që përfitojnë pasaporta shërbimi e diplomatike. "Unë ende nuk e kuptoj se pse bashkëshortja e një ministri apo një deputeti apo sekretari i përgjithshëm i një institucioni të ketë pasaportë diplomatike dhe shërbimi", u shpreh Bushati. "Nuk arrij ta kuptoj dot, shtoi ai, pse duhet të ketë pasaportë shërbimi një kryeredaktor që ka një gazetë me pesë mijë kopje ndërsa një tjetër që ka 4900 jo".
Cici
Shqipëria ofron garancitë për liberalizim
Këshilltari diplomatik i Presidentit Bamir Topi konstatoi dje se lëvizja e lirë e njerëzve është një çështje komplekse dhe e rëndësishme. "Tek ne, është kthyer në barometrin e rrugëtimit të vendit tonë në plotësimin e standardeve për anëtarësim në BE dhe NATO. Në Shqipëri, lëvizja e lirë është kufizuar vetëm tek pasja e një vize për të udhëtuar", vlerësoi Arben Cici. Sipas tij, cilado qoftë kategoria që i përket, secili përballet me këtë izolim psikologjik. "Duke marrë në konsideratë ritmet e zhvillimit të saj, Shqipëria ofron të gjitha mundësitë dhe besimin që ritmet e liberalizimit të lëvizjes për shtetasit e saj të bëhen më konkrete", u shpreh Cici.