E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Raporti i OSBE-së konfirmoi ilegjitimitetin e zgjedhjeve

Dy kandidatët për kryetar të Partisë Socialiste kanë vijuar turin e tyre të përballjeve në Gjirokastër


GJIROKASTËR - Kryetari i opozitës, Edi Rama, ka ritheksuar qëndrimin e prerë të forcës politike që ai drejton për të mos hyrë në atë që e ka cilësuar si tempullin e atyre që i mohuan Shqipërisë dhe shqiptarëve zgjedhje të lira.


Ndërsa situatën aktuale ai e ka quajtur si një lojë të organizuar nga Fatos Nano, Sali Berisha e Ilir Meta në kurriz të shqiptarëve.


Deklaratat e kryesocialistit u bënë në Gjirokastër, gjatë takimit me anëtarët e degës lokale të Partisë Socialiste, në prag të zgjedhjeve për kryetarin e kësaj force politike. Ndryshe nga kandidati tjetër, Maqo Lakrori, Rama në pjesën e hapur të takimit nuk ka parashtruar platformën e tij, por i është referuar procesit zgjedhor dhe situatës aktuale.


Ai ka falënderuar socialistët e Qarkut të Gjirokastrës për rezultatet e arritura në zgjedhjet, që i ka cilësuar si një proces të degjeneruar dhe një maskaradë të vërtetë zgjedhore.


Me tone të ashpra, kreu socialist ka deklaruar se forca politike që ai drejton është fituese e zgjedhjeve të 28 qershorit, por rezultati real u është mohuar nga shteti në shërbim të pushtetit, ndërsa ka rikërkuar edhe njëherë hapje të të gjitha kutive të dyshuara të votimit.


"Mos hapja e dhjetëra kutive të dyshuara dhe duke e detyruar këtë refuzim nëpërmjet Kolegjit Zgjedhor është një arsye që ne sot të refuzojmë legjitimitetin e Parlamentit, të refuzojmë të drejtën e pakushtëzuar të Parlamentit dhe qeverisë për të udhëhequr këtë vend në katër vitet e ardhshme.


Ne jemi të detyruar përpara atyre që na kanë votuar më 28 qershor dhe Kushtetutës, të mbajmë qëndrim të prerë, të vendosur dhe që ka të bëjë drejtpërdrejt me legjitimitetin.


Ne nuk i pranojmë zgjedhjet si zgjedhjet që të mund të përcaktojnë fatet e vendit për katër vitet e ardhshme, nuk i pranojmë ato si model. Nëse raporti i arbitrit thotë që 30 për qind e procesit të numërimit u krye keq dhe shumë keq, kjo konfirmon ilegjitimitetin e tyre.


Ne duam hapjen e të gjitha kutive të votimit për t'i dhënë fund korrupsionit dhe abuzimeve elektorale", - ka deklaruar Rama. Ai ka akuzuar madje edhe kreun e LSI- së Ilir Meta, që sipas Ramës mori votat e 83 mijë të majtëve me premtimin për të larguar përfundimisht Berishën nga pushteti dhe po i përdor ato për ta mbajtur në pushtet.


Gjinushi: Qeveria e re, bandë të kërkuarish

Qeveri të mashtrimit dhe grabitjes. Kështu e ka cilësuar kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, kabinetin e ri qeveritar "Berisha 2", që nisi punë vetëm dy ditë më parë, pas betimit tek kreu i shtetit.


Duke iu referuar pikërisht kompozimit të saj, Gjinushi nuk ka nguruar t'i quajë ministrat e rinj si pjesë të një bande të kërkuarish nga organet e drejtësisë, për shkak të akuzave që rëndojnë mbi ta për korrupsion dhe shpërdorim detyre.


"Shqiptarët panë se si betohej banda e Gërdecit me atë të thesarit të shtetit para Presidentit të Republikës për të vazhduar vjedhjen, mashtrimin dhe poshtërimin e shqiptarëve", - tha kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, në një dalje të posaçme për mediat. Sipas tij, qeveria e re është vijimësi e aferave të pista që Meta dhe Berisha kanë bërë që më parë në dëm të interesave të shqiptarëve.


"Kujtojmë se kjo krushqi ka filluar me mbylljen e dosjes së KESH-it në 2002-shin dhe tani kurorëzohet me mbylljen e dosjes së Gërdecit", - tha Gjinushi. Për kreun e PSD-së, kjo qeveri nuk ka legjitimitet, pasi është pasojë e një mashtrimi të pastër elektoral, ku votat e marra majta u kaluan djathtas.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›