E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI i beson forcës së gruas

Tiranë (Start)-Lëvizja e Gruas për Integrim, Tiranë zhvilloi dje Konferencën e grave dhe vajzave të kryeqytetit. Në këtë takim merrnin pjesë qindra simpatizante dhe anëtarë të LGI-së, të cilat me nota entuziaste mbështetën përpjekjet aktuale të LSI-së në mbrojtje të votës së lirë dhe garantimin e një procesi të ndershëm zgjedhor. në këtë takim madhështor ishte i pranishëm edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Meta përshëndeti Konferencën e Gruas për Integrim, Tiranë. Në këtë takim , Meta shprehu para qindra grave e vajzave, simpatizante të LSI-së, besimin që LSI ka tek forca e gruas. Gjithashtu, në këtë takim lideri i LSI-së ndau gjatë fjalës së tij edhe objektiva aktuale të LSI-së, në mbrojtje të ligjit zgjedhor dhe si rrjedhojë në mbrojtjen e vlerës së zgjedhjeve të ardhshme. “Do të ketë emrin tuaj, sepse nuk është një betejë vetëm për ne dhe nuk është një betejë vetëm për sot, është një betejë me afat për fëmijët tanë dhe të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Meta gjatë konferencës së djeshme. Gjithashtu, gjatë këtij takimi mbajti fjalën edhe nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra, e cila shprehu rëndësinë e shprehjes së vullnetit të lirë të shqiptarëve, si dhe luftën që duhet të bëhet për të garantuar këtë të drejtë. “Në këtë moment historik për vendin dhe demokracisë, ka vetëm një qëndrim: vota është e shenjtë, vota është demokraci”, theksoi Kodra. Ndërkaq, gjatë konferencës së djeshme mbajtën fjalime edhe përfaqësueset e tjera të 11 njësive të të kryeqytetit, ku shprehën bindjen dhe mbështetjen ndaj luftës së ndërmarrë nga LSI, për mbrojtjen e votës së lirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›