Rama: Rilindja ekonomike nis nga çlirimi i sipërmarrjes

Edi Rama / Foto arkiv
Partia Socialiste po mban sot tryezën për biznesin , përmes së cilës kryetari Rama ftoi sipërmarrësit shqiptarë ti bashkohen programit Për një rilindje shqiptare.
Rama u shpreh se program i PS-së bazohet te mbështetja e sipërmarrjes, një sektor i cili sipas tij po e jeton drejtpërdrejt krizën ekonomike.
Rilindja ekonomike fillon nga ju, nga çlirimi i sipërmarrjes. Krijimi i një konkurrence të ndershme bazuar te idjea, talenti dhe puna. Në themel të rimëkëmbjes së vendit, ky partneritet i ri është një garanci. Mbështjetja e sipërmarrjes është guri i themelit në këtë proces. Ne duam të ofrojmë një paketë çliruese për biznesin.
Situata ekonomike është tejet e vështirë dhe shumë sektorë të biznesit e jetojnë këtë drejtpërdrejt. Ne jemi të vetëdijshëm për kërcënimin e krizës ekonomike ndaj biznesit shqiptar. Kjo është reflektuar në uljen e konsumit, borxhet e ardhura nga mospagesat, në rritjen e borxheve ndaj bankave. Në programin tonë, politikat fiskale në shërim të drejtësisë sociale, tha Rama.
Kryesocialisti theksoi se program i PS-së synon të ulë koston e jetesës për shumicën e shqiptarëve, mbi të cilët rëndojnë taksat. Shuma e taksës që paguan një qytetar I thjeshtë është e barabartë me pagën e 12-të. Ne jemi të vendosur ta ndryshojmë këtë dhe të lehtësojmë barrën fiskale të qytetarit të zakonshëm, tha Rama.
Një tjetër pikë e rëndësishme në programin Për një Rilindje Shqiptare është edhe punësimi, të cilin PS synon ta rrisë duke lehtësuar klimën e biznesit dhe duke vënë në dispozicion të tij institucionet kompetente.
Punësim real përkundër rritjes së papunësisë në rrugën e rrënimit të mëtejshëm që ka hapur e po çon përpara kjo qeveri. Të flasësh sot për punësim real do të thotë të flasësh për partneritetin e qeverisë me sipërmarrjen. Angazhohem se ne do t`i heqim përfundimisht referencat, pasi sistemi aktual është mjet abuzimi politik, shtoi më tej Rama. / G.N.