E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Rrënimi ekonomik nga keqqeverisja

Kreu i PS-së, Edi Rama deklaron se ekonomia shqiptare po rrënohet si pasojë e keqqeverisjes, ndërkohë që vazhdimisht po spekulohet me shifrat për të mbuluar krizën në vend. Në një takim me gazetarët, Rama theksoi se kërkesa për transparencën e zgjedhjeve dhe protesta kundër rrënimin ekonomik janë dy çështje thelbësore për vendin. "Sipas Bankës së Shqipërisë jemi në kushtet se ajo që PS tha në fund të vitit të kaluar, është plotësisht korrekte. Rritja eknomike në 2009-ës ka qenë zero. Ndërkohë që nuk po merret asnjë masë për këtë krizë", tha Rama. Sipas tij, gjendja ekonomike po përkeqësohet, pasi ka tendencë pëe rënie nën zero.
Kryesocialisti Rama tha se edhe studimi i fundit i USAID konfirmoi se nuk ka rritje të eksporteve dhe importeve, por ka rënie të tyre. Më tej, ai shtoi se fatura e ujit në kryeqytet është rritur 75%.
Sipas kreut të selisë rozë, PS ka adresuar mënyrën se si të dilet nga kriza, duke bërë sugjerimet përkatëse. "Por këto ranë në vesh të shurdhët, duke filluar që nga buxheti i 2010-ës", shtoi ai.

Sipas Ramës, instancat ndërkombëtare kanë nënvizuar se kriza politike nuk është zgjidhur. "Kriza është rënduar. Ky është mesazhi i komunitetit ndërkombëtar. Ne duhet t'i japim zgjidhje. PS është në betejë për të zgjidhur këtë krizë, dhe nuk ka të bëjë me qendrimin ndaj Kuvendit, por legjitimitetin moral e politik të Parlamentit që qendron mbi krimin elektoral", shtoi Rama.
Rama kritikoi edhe mënyrën se si është plotësuar Pyetësori i Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›