E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Sali Berisha nuk përballet dot me kutitë

Kreu i PS-së: Rrugë tjetër nuk ka. Gati përshkallëzimi

Dita e 18-të e grevës së urisë nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimin politik rreth saj. Edhe pse në vështirësi serioze, opozita shqiptare ka vijuar dje me qëndresën e organizuar ndaj pushtetit aktual, duke mos reshtur së dhëni mesazhe politike që tanimë synojnë mbajtjen gjallë të reagimit dhe angazhimit si instrument presioni mbi palën që refuzon me heshtjen e vet. Si pjesë e keqkuptimit të stabilizuar mes opozitës dhe asaj që thirret si elitë, ky komunikim që priret të izolojë aksionin socialist, ka marrë dje një përgjigje të posaçme nga kreu i opozitës, Edi Rama. “Para nesh çdo ditë dalin njerëz që i kanë shitur interesat e tyre në oborrin e pushtetit dhe thonë deklarata nga më të neveritshmet për ata që në këtë grevë urie nuk kanë hyrë për veten e tyre, por për të gjithë ata që duan ta jetojnë të ardhmen e tyre në këtë vend”, deklaroi Rama. Si ka mundësi, vijoi ai, që të jenë të kënaqur me një Shqipëri ku gënjeshtra në pushtet e ka futur vendin në një krizë që thellohet përditë, ku qytetari nuk është as i lirë dhe as i barabartë me të tjerët... “Unë mendoj se nuk janë të kënaqur, por një nga arsyet që sillen kështu është se janë të dorëzuar përpara asaj mënyre të vjetër të komentimit të punëve të këtij vendi, sipas së cilës ‘Shqipëria kështu është; ky vend nuk bëhet’. Jo, ky vend bëhet, sepse ka çdo gjë dhe është i bekuar nga ZOTI”, ka deklaruar Rama para çadrës ku janë ngujuar rreth 150 grevistë. Greva e urisë që është stacionuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është kështu, sipas tij, katalizatorja dhe ndërmjetësja e dy kohëve; asaj që e sheh vendin në prizmin e krizës permanente dhe asaj që ofron të ardhmen e re. Rama ka ofruar alternativën e vet si zgjidhje gjithëpërfshirëse. “Ju siguroj se beteja jonë është një betejë edhe për ata... Dua që nëse nuk kanë kurajën të bashkohen me ne, duhet të gjejnë të paktën kurajën për të hequr frikën, së paku të heshtin...”, ka replikuar Edi Rama me firmëtarët antigrevë. Përgjigjja në fjalë duket se ka mbyllur rolin bllokues të asaj që Kryeministri Sali Berisha e quajti elita. “Kjo është një krizë që nuk mban peng vetëm jetën politike të vendit, por mban peng vetë demokracinë, vetë shtetin dhe ekonominë. Shqiptarët po e kuptojnë çdo ditë se e keqja që u ka hyrë në shtëpi, ka të bëjë drejtpërdrejt me çka fshihet në kutitë e votimit dhe krizën e krijuar, sepse Sali Berisha nuk përballet dot me të vërtetën e atyre kutive”, shtoi Rama. E përfshirë në një betejë që po del në sipërfaqe si një luftë e mirëfilltë politike, elita ka ofruar minimalisht informacione të vlefshme për sa i përket rreshtimit të saj, por edhe optikës me të cilën gjykon ngjarjet në vend. Efekti anësor i peticionit antigrevë ka mbetur me të vërtetë i tillë për sa kohë që politikisht opozita nuk ka hequr asnjë presje nga qëndrimi i vet. Mesazhi për elektoratin edhe dje ka qenë shumë i qartë dhe me një terminologji mobilizuese. “Rrugë tjetër nuk ka për ne, sepse rruga tjetër është pranimi i mbretërisë së pashpallur së Sali Berishës”, ka deklaruar Edi Rama. Refuzimi i saj, në formën dhe në përmbajtjen e vet, është tanimë një vendim që ka unifikuar ekipin drejtues socialist. Fjalët e kreut të tyre janë ripërsëritur edhe si jehonë e një vendimi të grupit parlamentar për rifillimin e protestave në rrethe dhe qëndresën e pakufishme në grevën e urisë. Në këtë kontekst, po dalin në sipërfaqe edhe elementë të përshkallëzimit të protestës, që në eventualitetin e zhvillimit të hetimit parlamentar mund të sjellin edhe një mosnjohje të qeverisë “Berisha”. Ideja në fjalë i shkon kreut të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, që sipas burimeve nga PS citohet të ketë hedhur idenë e një përshkallëzimi të qëndrimit politik, nëse transparenca vërteton dyshimet e PS-së. Praktikisht, këta elementë të diskutimit politik mbajnë të hapur opsionin e zgjedhjeve të parakohshme që duket të jetë zgjidhja më e favorshme për opozitën e angazhuar në rrugë që prej një viti.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›