E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërhiqet Bosch: Gjeni një zgjidhje

Ambasadori nuk e përmend më marrëveshjen që deklaroi të premten e shkuar

Ka pritur plot katër ditë për të dalë me një deklaratë të dytë. Krejt ndryshe nga ajo çka tha të premten, ambasadori i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, këtë herë nuk ka qenë aspak i qartë. Në ato pak rreshta të deklaratës së tij zyrtare, ai nuk përmend askund marrëveshjen e cila të premten e shkuar duhej pranuar nga palët. Ndryshe nga atë ditë, tashmë Bosch nuk tregon as ashpërsi ndaj liderëve politikë të pozitës dhe opozitës. Thjesht ai ka zbritur në kuadrin e deklaratave diplomatike që i shkojnë shprehjes “as s’e lëshon, as s’e këput”. “Kam vërejtur numrin e madh të komenteve publike të bëra pas përgjigjes që i dhashë medias, të premten e kaluar, në lidhje me situatën politike aktuale”, vijon njoftimin e tij zyrtar ambasadori Bosch. Ai thekson se pas nëntë muajsh të gjatë, klasa politike shqiptare duhet të gjejë pa humbur më kohë një zgjidhje për të cilën bien dakord të dyja palët. “çdo zgjidhje e tillë duhet të jetë në përputhje me parimin e transparencës dhe me kornizën ligjore shqiptare”, u shpreh ambasadori Bosch. Qëndrimi i dytë i Bosch brenda pak ditësh duket se ka ardhur në të njëjtën linjë me prononcimin e kreut të delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, të shtunën e shkuar. Lohan e mohoi deklaratën e ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch, se është gati një draft për zgjidhjen e krizës politike në vend. “Kjo është një pyetje që ju zyrtarisht duhet t’ia bëni ambasadorit Bosch. Bashkimi Europian do të mirëpriste çdo marrëveshje mes udhëheqësve politikë shqiptarë, që do të respektonte parimet themelore demokratike, të cilat janë Kushtetuta dhe transparenca”, ka deklaruar Lohan. Katër ditë më parë, Bosch u shpreh se “që dje, ka një kompromis shumë të mirë mbi tryezë dhe në emër të shumicës së ndërkombëtarëve do t’i inkurajoja udhëheqësit politikë ta pranojnë kompromisin tani, të tregojnë kurajë, të tregojnë se janë burra shteti, të mos përpiqen të shmangen duke përdorur teknikalitete, të shikojnë interesin e vendit të tyre. Mos vini të parat interesat tuaja personale dhe bëjeni hapin e madh! Koha është tani! Nuk do të ketë më kohë për t’u zgjatur!”, tha Bosch. Ai u tregua hermetik në komunikimin e tij nëpërmjet kamerave me dy udhëheqësit. “Nuk do të them se cili është kompromisi. Liderët, të cilëve unë po u drejtohem, e dinë shumë mirë se cili është kompromisi dhe është një kompromis shumë i mirë që duhet pranuar. Ky kompromis ka mbështetjen e Bashkimit Europian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OSBE-së. Ai vërtet duhet pranuar”, u shpreh Bosch.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›