E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Saliu duhet të tregojë nëse kërkon të bashkëpunojë për integrimin

Kreu i PS-së, gjatë fjalës së tij të mbajtur para grupit parlamentar të PS-së, është shprehur se ka ardhur koha që Berisha të tregojë nëse është i gatshëm të bashkëpunojë për reformat, në mënyrë që Shqipëria të integrohet në Europë.

Gjatë fjalës së tij, Rama është shprehur për të gjitha propozimet e PS-së, ndërsa ka kërkuar që përveç heqjes së taksës së TVSH-së për ushqimet, të ulet çmimi edhe për energjinë elektrike. Ky propozim sipas Ramës, do ti paraqitet parlamentit në ditët në vijim. Më poshtë është një pjesë e fjalimit të Ramës:

Taksat dhe TVSH-ja për ushqimet është e papranueshme, jo vetëm për gjëndjen e shqiptarëve, por edhe në raport me Europën. Në asnjë vend të Europës nuk ndodh që të ketë 20% TVSH për ushqimet. Që kur ka hyrë taksa e re për ilaçet, çmimi i tyre është rritur, ndryshe nga sa thotë Berisha, që gënjen. Me Saliun ka vetëm rritje çmimesh.

Ndërkohë, duhet të shpejtojmë me propozimin e ri për uljen e çmimit të energjisë.

Buxheti faktik i qeverisë tregon se Berisha po e çon vendin drejt përplasjes me murin e borxheve të papaguara dhe të papagueshme. Sot paguajnë njëlloj si një pastruese, ashtu dhe një biznesmes. Kjo duhet të marrë fund.

5% e shqiptarëve kanë 50% të depozitave, ndërsa 95% e shqiptarëve pjesën tjetër ne. Ne do të jemi me këta të fundit. Ne do të ulemi me popullin dhe do të dëgjojmë kërkesat tuaja.

Shumë kanë kërkuar një Gjykatë Administrative. Ka pasur shumë shpifje dhe spekulime me qendrimin tonë. Ne nuk jemi kundër Gjykatës Administrative, por kundër shtimit të një gjykate të korruptuar dhe të kapur nga Saliu për interesat e tij.

Ne nuk duam të mbajmë peng ligjet që kërkojnë 3/5 e votave, por duam reforma shtetndërtimi për një shtet europian. Nuk duam ligje për ti hedhur hi syve Brukselit.

Saliu duhet të thotë publikisht nëse do apo nuk do që të arrijmë një marrëveshje për të arritur reformat? Do apo nuk do Saliu që ti japë jetë një pune parlamentare? Do apo nuk do Saliu integrimin në Bashkimin Europian? Unë them që nuk do. Saliu duhet të provojë të kundërtën me vepra, jo me fjalë në rrugë kundër opozitës. Nëse do, ne jemi gati që këtë javë, nëse nuk do, shqiptarët gjykojnë.

Saliu nuk po na thotë nëse i qendron premtimit që ka bërë prej dy vjetësh, që do pranonte çdo propozim të opozitës për reformën zgjedhore? Unë them që Saliu nuk do, por ai duhet të provojë të kundërtën. Reforma zgjedhore duhet përfunduar deri në mars.

Për sa i takon reformës parlamentare, jo vetëm që jemi dakord për një rregullore të Parlamentit Europian, tashmë kemi nisur punën, por lind pyetja nëse Saliu do? Duhet ta thotë publikisht dhe qartë nëse e pranon këtë gjë. Ashtu siç duhet të thotë përse ka frikë nga SHISH dhe kërkon që ta kontrollojë, pse nuk do që të hetohen faktet e frikshme të Gërdecit, të rrugës Rrëshen-Kalimash, për kapjen e policisë nga truproja e tij e me radhë?Po Televizionin Publik pse Saliu nuk do që ta vërë në dispozicion të qytetarëve? Saliu duhet të tregojë pse nuk e pranon një pakt për Shqipërinë europiane?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›