E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Saliu i vetmi që flet për fitoren e Gadaf para kohe

TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reagur nëpëmjet një editoriali mbi situatën më të fundit në Libi. Rama shprehet i habitur që kryeministri Berisha është i vetmi që tregon entuziasmin e tij për rënien e regjimit, që ende nuk ka ndodhur, pasi sipas tij asnjë kryeministër europian nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Pashë vetëm presidentin e SHBA dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s që, siç kanë dalë vijimësisht para mbarë botës në ndjekje të zhvillimeve dramatike në Libi, dolën e vazhduan të flasin nga lartësia e misionit të tyre për fatet e atij vendi në mbështetje të revoltës çlirimtare të popullit libian, duke rikërkuar largimin e Kadafit. Por as njëri as tjetri nuk shkuan deri tek shpalosja e gëzimit të fitores ende të paarritur përfundimisht deri në këto momente, siç shkoi Saliu me ngut përpara të gjithëve, duke folur para shqiptarëve si të ishte në rolin e prijësit të të gjithë koalicionit botëror kundër kolonelit Muhamar Al Kadafi, mikut të tij të vjetër, dhe si të kishte përballë kamerat e mbarë planetit”,- u shpreh Rama.

Sipas kreut të PS-së nuk ka asgjë për t'u habitur, pasi sipas tij kryeministri Berisha ka ngjashmërisë me kolonelin e Libisë.

“S’ka asgjë për t’u çuditur as në psenë e krekosjes së përsëritur të Saliut para shqiptarëve për arritje globale ku Shqipëria s’ka si të ketë dot asnjë gisht, po ku kryeministri i saj sa i dhunshëm aq qesharak, me ngjashmërira të lexueshme me kolonelin e Tripolit në qasje, sjellje, fjalor, s’rri dot pa ngritur dorën e prezencës. Arsyeja pse më bëri përshtypje kuturisja e tij për të shfaqur gëzimin e rënies së regjimit në Libi qëndron përtej anës qesharake të provincializmit me të cilin Saliu e bën rolin e kryeministrit në një vend që s’është kërthiza e botës, po ku Saliu sillet si të ishte ai vetë kërthiza e fateve të botës, gjithnjë me prapamendimin djallëzor të krijimit tek ata që e ndjekin pas të iluzionit të një madhështie të gjithanshme idesh, arritjesh, suksesesh, në realitetin e një krize të thellë ekonomike e sociale. Tamam enverist në metodë po kjo është një temë tjetër”,- nënvizoi Rama.

Kreu i Selisë Rozë thekson se ngutja e Berishës për ti dhënë shqiptarëve lajmin e rënies së Gadaf, të cilin e etiketon si mik të kryministrit është se dëshiron të shkëputet nga cdo lidhje me të, pasi sipas Ramës edhe Gadafi i trajton protstuesit si ai.

“Ngutja e Saliut për t’i dhënë popullit shqiptar lajmin e gëzuar të fundit të regjimit të mikut të tij të adhuruar vite me rradhë, lidhet në të vërtetë me nevojën, për të shkëputur veten nga çdo lloj asociacioni me atë satrap delirant që protestuesit i quante njësoj si Saliu minj e kokëpalarë dhe pakashumë si Saliu s’linte rast pa thënë se sa shumë e donte populli e sa gjatë do rrinte akoma në pushtet për t’i shërbyer popullit nëse Allahu lavdiplotë s’do ta merrte ndonjëherë në qiell. Saliu vetë e di që në perceptimin e shumicës së popullit tonë ai ngjan sot me Kadafin më shumë se me këdo tjetër”,- vijon ditoriali i kreut të PS-së Edi Rama.
(e.m/BalkanWeb)

Lidhje te tjera Editorial nga Edi Rama: Rënia e Tripolit dhe përshëndetja e Saliut

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›