E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesimi i parashkolloreve MASH Do te hapen 200 klasa te reja

Projekti pilot i Ministrisë së Arsimit në lidhje me përgatitjen e fëmijëve 5- vjeçarë, që përpara se të shkojnë në klasën e parë të marrin dije shtesë, por dhe që të socializohen me fëmijët e tjerë, rezultoi i suksesshëm. E në këtë linjë Ministria e Arsimit ka vendosur të çelë dhe 200 klasa të tjera të këtij lloji në vend.

“U nis me 50 klasa dhe më pas vitin tjetër me 50 klasa të reja. Vitin e tretë me 100. Aktualisht ne kemi 200 klasa përgatitore dhe ajo që është risi për këtë vit shkollor është fakti që do të hapim 200 klasa të reja përgatitore, duke arritur kështu përfshirjen e të gjithë 5-vjeçarëve”, tha Pranvera Kamani, Drejtore e Kurikulës dhe Teksteve, MASH.

Me qëllim kthimin e fëmijëve nga rradhët e shtresave në nevojë në shkolla fillimisht u pa e nevojshme çelja e këtyre klasave në shërbim të tyre. Aktualisht 35 përqind e fëmijëvë 5 vjeçarë, që kanë ndjekur këto klasa vijnë nga shtresat vunerabël, të cilët më herët nuk kanë ndjekur as çerdhet e as kopshtet.

“Që në fillim të zbatimit të këtij projekti në udhëzimet tona ishte që të ndiqeshin me përparësi ata fëmijë nga shtresa në nevojë, fëmijë romë, egjiptianë sepse janë këta, ata që s’kanë mundësi të shkojnë në një institucion përgatitor për në shkollë. Rreth 30-35 % e fëmijëve të klasave përgatitore vijnë nga këto shtresa”, tha Kamani.

Në këto klasa japin orë të veçanta edukatorë, të cilët janë mirëtrajnuar nga UNICEF, i cili është dhe nismëtari i këtij projekti.  Sipas MASH këtë vit do të trajnohen edhe të tjerë, pasi numri i kërkesave nga drejtoritë arsimore në vend për këto kategori klasash është i madh.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›