E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet kushtetuese Topi Do shprehem me dekrete

Presidenti i Republikës deklaron se kërkohet maturi në ndryshimet kushtetuese. Nga Himara ku ka zhvilluar një takim me kreun e ri të Bashkisë Gjergji Goro presidenti i republikës Bamir Topi është pyetur nga gazetarët mbi debatin e fundit të nisur pas kërkesës për ndryshime kushtetuese për të cilat ai tha se do të japë përgjigje kur palët politike t’i drejtohen për këtë çështje.

“Presidenti nuk do të futet për asnjë moment në çështjen e debatit mbi ndryshimet kushtetuese. Presidenti, duke respektuar pozicionin e tij e ka të drejtën nëse kjo del në planet e partive politike për ta diskutuar për t’u shprehur në momentin e fundit me dekretin e tij”, tha Topi.

Presidenti vlerësoi raportin e fundit të OSBE/ODHIR-it si tejet realist dhe me një mesazh të qartë për politikën.

“Do të dëshiroja t’i kujtoja politikës shqiptare, në radhë të parë politikës parlamentare që sezoni që presim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse ka të bëjë me nevojën jetike për një bashkëpunim të domosdoshëm midis pozitës dhe opozitës”, theksoi ai.

“Vullnetin për bashkëpunim”, tha kreu i shtetit nga Himara, “partitë ta tregojnë që me nisjen e sesionit të ri parlamentar në shtator”.

Festim Llanaj Azhornuar së fundi ( e martë , 23 gusht 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›