Rama-Sanninos: Janë shkelur afatet për reformën zgjedhore

Partia Socialiste është e angazhuar për të kryer reformat e kërkuara për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kështu është shprehur kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë takimit me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin, Stefano Sannino.
Rama i shprehu gjithashtu shqetësimin për shkeljen e afateve për përfundimin e reformës zgjedhore dhe domosdoshmërinë për adresimin e çështjeve substanciale, si korrupsioni, ç`rrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë, mosfunksionimin e gjyqësorit, problemet me median dhe respektimin e të drejtat e njeriut.
Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit falenderoi Partinë Socialiste për kontributin e dhënë për miratimin e ligjeve me 3/5 dhe rolin konstruktiv të opozitës. Duke vënë në dukje rëndësinë e miratimit të Planit të Veprimit për 12 pikat dhe rolin e luajtur nga opozita në këtë proces, Sannino theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të tij në afatet e caktuara dhe angazhimin e Bashkimit Evropian për të monitoruar këtë proces.
Në këtë takim, Sannino shoqërohej nga Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri Ettore Sequi dhe nga Shefi i Zyrës për Shqipërinë në Komisionin Evropian, Vassilis Maragos.