Berisha: Vdekja e Alfred Palokës, boshllëk për shkencën
Miq, të afër, kolegë kanë zhvilluar sot homazhe për nder të akademikut dhe ish-deputetit Alfred Paloka i cili ndërroi jetë ditën e djeshme pas një sëmundje të rëndë. Homazhet kanë zhvilluar sot në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë edhe kryeministri Berisha, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli si dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se ndarja nga jeta të Alfred Palokës lë një pikëllim të thellë tek familja por edhe një boshllëk të madh për botën shkencore.
"Alfred Paloka u nda nga jeta duke lënë një pikëllim të thellë tek familja, tek miqtë e tij, tek të gjithë ata që e kanë njohur, tek nxënësit e panumërt që u ka dhënë mësim, tek kolegët me të cilët kanë ndarë në dekada veprimtarinë universitare.
Profesor Alfred Paloka lë një boshllëk të madh për botën shkencore shqiptare, botën akademike të vendit. Ata që e kanë njohur do të ruajnë në memorien e tyre kujtimet më të mira të një qytetari shembullor, studjuesi serioz dhe të përkushtuar por edhe të një politikani të urtë, të mençur dhe të moderuar” ka theksuar Berisha.