Rama: Sdo ndërhyjmë tek institucionet e pavarura

Kreu i PS, Rama
Kreu socialist bashkëbisedon me shqiptarë dhe studentë në Nju Jork.
Do përfshijmë propozimet e ish-të përndjekurve në program
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim me studentë të Universitetit të Nju Jorkut dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Nju Jork. Në fjalën e tij në anglisht, Rama prezantoi shtyllat kryesore të programit të ri të PS Një Rilindje Shqiptare. Në fjalën e tij, kryetari i PS-së, Rama, nënvizoi se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të sjelljes së qeverisë dhe një ndryshim të cilësisë së qeverisjes. Bashkëbiseduam dy orë e gjysmë me shqiptarë në NY University, shumë pyetje rreth programit për një Rilindje Shqiptare. Dëshirë për ndryshim!, shkruan Rama në profilin e tij në Twitter rreth këtij takimi. Çështjet kryesore të programit tonë janë të krijojmë kushtet për punësim real. Të jemi në gjendje të ngremë një sistem taksimi të ndershëm, ose një taksë e sheshtë që ka shuar klasën e mesme dhe klasën e varfër, dhe ka krijuar një polarizim në rritje midis më shumë se 95% të njerëzve që fitojnë më pak dhe paguajnë më shumë, dhe më pak se 5% e njerëzve që fitojnë më shumë dhe paguajnë më pak. Për këtë është absolutisht e domosdoshme të luftojmë kundër monopoleve dhe kundër një shoqërie shumë klienteliste deri tani për shkak të qeverisë, e cila ka bazuar çdo gjë që i përket sipërmarrjes mbi klientët e saj, u shpreh Rama. Pyetjes se një prej të pranishmëve se pse nevojitet taksa progresive në Shqipëri, kryesocialisti Rama iu përgjigj: Taksa e sheshtë është thjesht një abuzim, kjo është e vërtetë teorike dhe është e vërtetë praktike në Shqipëri. Është e pamundur që një infermiere të jetë e detyruar sot të paguajë më shumë taksa se doktori Kryeministër, tha Rama. Shqiptaro-amerikani i njohur, përmes shkrimeve të tij, Geri Kokalari, i pranishëm në këtë takim, pyeti se çfarë do të bëjë Edi Rama ndryshe nga Sali Berisha për pavarësinë e institucioneve. Unë mund tju them me siguri atë që ne nuk do të bëjmë. Ajo që ne nuk do të bëjmë është të ndërhyjmë në punën e institucioneve të tjera kushtetuese. Nuk do të ndërhyjmë në punën e Prokurorisë së Përgjithshme. Nuk do të kërkojmë kurrë nga gjykatësit të mos japin drejtësi. Kjo nuk është thjesht diçka e bazuar në fjalë, por është e bazuar në fakte. Ne kemi fakte që provojnë se në opozitë ne jemi sjellë ndryshe nga qeveria për të njëjtat çështje. Prokuroria e Përgjithshme kërkoi imunitetin e tre deputetëve tanë për të hetuar ngjarjet e 21 janarit dhe ne jo vetëm që nuk e kundërshtuam këtë, por votuam pro heqjes së imuniteteve, deklaroi Rama. Pyetjes se një ish-të përndjekuri se çfarë programi ka Partia Socialiste për këtë shtresë, kryetari i Partisë Socialiste iu përgjigj: Ne jemi të angazhuar për të pasur një tjetër qasje përballë kësaj shtrese. Jo bazuar për nevojën për të marrë votat e tyre, por të bazuar në bindjen se kjo është një çështje e drejtësisë shoqërore. Ne do të përfshijmë propozimet e tyre në programin tonë dhe do të angazhohemi për çdo propozim që do të jetë i mundur sipas këndvështrimit tonë, u përgjigj Rama.
Delegacioni
Kreu socialist Edi Rama në turin e tij të takimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shoqërohet nga disa deputetë dhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Në takimin e zhvilluar në Nju Jork me ekspertin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë Gerwin Bell, Rama shoqërohej nga Anastas Angjeli dhe Erjon Veliaj, ku zyrtari i FMN-së është njohur me shqetësimet e PS-së për ecurinë e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore gjatë dy muajve të parë të vitit. Angjeli dhe Valiaj shoqëruan Ramën edhe në takimin me studentë dhe shqiptarë që jetojnë në SHBA. Ndërsa në takimet që do të zhvillojë në Uashington, kryesocialisti do të shoqërohet Anastas Angjeli, Erion Veliaj, Ditmir Bushati, Anastas Angjeli, Ilir Beqja dhe Roland Bimo.