E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Serbia ta kuptojë, Kosova ju ka ikur nga duart

“Kjo është një datë kur do të kujtohet gjithnjë me admirim e mirënjohje të thellë nga mbarë kombi ynë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe komandanti legjendar Adem Jashari. Por kjo është po ashtu një datë kur do të kujtohet me admirim e mirënjohje të posaçme edhe lideri historik i rrugës së mundimshme paqësore drejt pavarësimit të Kosovës Ibrahim Rugova”, tha Rama në mesazhin e vet.

Më tej, Rama, tha se Partia Socialiste, shpreh vullnetin e palëkundur politik për të mbështetur përparimin e shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre, brenda e jashtë Shqipërisë, duke mbështetur pa asnjë ngurrim Kosovën e të gjitha forcat politike të saj në sfidën e madhe të demokratizimit, modernizimit dhe integrimit evropian.

“Nuk ka ditë më të mirë se kjo e sotmja për të përsëritur qartë dhe prerë se ne do të jemi në krah të Kosovës e të qeverisë së saj, kundër çdo përpjekjeje për të rivënë në diskutim kufijtë territorialë të Kosovës. Kundër çdo përpjekjeje për të mos e pranuar sovranitetin e shtetit të Kosovës në territorin e vet me synim kthime të papranueshme e të pamundura mbrapa, në një të shkuar që Kosova e ka lënë pas njëherë e përgjithmonë. Kundër çdo përpjekje për të rifutur në skenën e jetës e të politikës së rajonit tonë fantazma që i përkasin një historie tragjike me të cilën Kosova i mbylli përgjithmonë llogaritë falë një lufte heroike. Nuk ka ditë më të mirë se kjo po ashtu as për Serbinë për të ardhur në vete e për të kuptuar se, sa më shumë e zgjat lidhjen e vet me të shkuarën aq më shumë kohë humbet për veten e saj po edhe për rajonin tonë në raport me të ardhmen”, vijoi ai. 

Rama shtoi se Serbia duhet ta kuptojë se e ka humbur një herë e përgjithmonë Kosovën. “Fqinjët serbë duhet ta kuptojnë se Kosova u ka ikur nga duart njëherë e përgjithmonë dhe duke e ndjekur pas si në një ëndërr të keqe për t’i shqyer ndonjë copë. Edhe referendumi i tyre pa përmbajtje në Veriun e Kosovës, s’është tjetër veçse një episod banal i kësaj ëndrre të keqe penguese për Serbinë evropiane dhe për prosperitetin demokratik, ekonomik e shoqëror të popullit serb. Shqiptarët në rajon e kanë bërë zgjedhjen e tyre të qartë. Kanë zgjedhur të ardhmen evropiane jo të shkuarën ballkanike”, shtoi. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-02-17 13:10
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›