E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Shqiptarët duhet të marrin një pjesë të barrës së luftës së ukrainasve kundër agresionit ushtarak rus

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar pamundësinë e qeverisë së tij për të ndëhyrë në rritjen e çmimeve, por u bëri thirrje shqiptarëve të marrin një pjesë të barrës së luftës së ukrainasve nga agresioni ushtarak rus.

Gjatë një replike me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, lidhur me rritjen e çmimit të karburanteve dhe drithërave në Shqipëri, zoti Rama shkruan se qeveria nuk e ka të mundur kontrollin e çmimeve në bizneset private, ndryshe nga sa ndodh në tregun e energjisë kur shteti është aksioner.
Ai ka kujtuar se vendi ashtu si gjithë bota po ballafaqohet me pasojat e luftës në Ukrainë. “Po bëhet luftë, luftë prej vërteti, luftë me bomba e me viktima e me plagë te jashtëzakonshme” shkruan ndër të tjera zoti Rama. Ai shprehet se alarmi ka përfshirë të gjitha tregjet edhe me sanksionet ndaj Rusisë që është eksportuesi më i madh në Europë i gazit, naftës dhe grurit.

Por sipas kryeministrit Rama shqiptarët duhet të marrin një pjesë të barrës së luftës së ukrainasve kundër një agresioni ushtarak mbi shtetin e tyre sovran e demokratik. “Historia na ka mësuar më shumë se një herë që kush mbyll sytë kur i vjen tjetrit lufta në shtëpinë e vet, shumë shpejt e ka luftën në shtëpinë e tij” shkruan kryeministri shqiptar Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›