Rama: Shqiptarët e bashkuar, fitore në zgjedhjet e 28 qershorit
Dje kryetari i PS, Edi Rama ka zhvilluar turin e tij elektoral në qytetin e Fierit dhe me Rrjetin e Vullnetarëve në Patos. Gjatë takimit, Rama ndër të tjera u shpreh se Shqipëria nuk mund të humbasë edhe 4 vjet të tjera duke mbetur në të njëjtat duar të paafta, të papërgjegjshme e të korruptuara, do t'i japin shumicës së papushtetshme forcën për t'i dhënë pushtet ëndrrës së saj të parealizuar.
Ai theksoi se kjo forcë e re shqiptarësh e shqiptaresh të bashkuar, përtej flamujve e kufijve të vjetër të partive, do të na çojë, jo vetëm në fitoren e zgjedhjeve në 28 qershor, po mbi të gjitha në ndarjen e me të shkuarën që prej 18 vjetësh nuk na le të prekim të ardhmen.Ne, vijoi Rama, do t'i bëjmë gjimnazet e universitetet tona hapësira të dijes, të konkurrencës e të meritës dhe do të garantojmë investimet e çdo familjeje për nxënësit e studentët jo duke dhënë letra pa vlerë që quhen diploma, po duke i dhënë çdo diplome vlerën e saj. Ne kemi bindjen, u shpreh Rama se arsimimi është politika më e mirë ekonomike dhe në 4 vjet do të bëjmë për arsimimin e fëmijëve e të të rinjve aq sa politika e vjetër nuk ka bërë në 18 vjet. Ne, tha Rama do ta çlirojmë konkurrencën, duke nxitur sipërmarrjen, jo me format primitive të çrregullimit total që kryeministri ynë i quan heqje barrierash, po me barazi shansesh e trajtim të barabartë duke mos ndërtuar një tjetër oborr qeveritar për kapitalizmin familjar po duke i dhënë kapitalizmit shqiptar përmasën e ambicieve e të talentit sipërmarrës të njerëzve tanë pa dallim bindjesh politike. Qytetarët e këtij vendi kanë nevojë për një politikë të re, që t'u japë arsyet për të kthyer faqen e dasisë 18 vjeçare dhe për t'u bërë bashkë, me kokën nga e ardhmja, në radhë të parë si shqiptarë e shqiptare, si prindër, gjyshër, nipër e mbesa familjesh me njëqind halle të lidhura me prapambetjen e Shqipërisë, dhe pastaj edhe si socialistë e demokratë që po njësoj vuajnë mungesën e dritave, të ujit, të punës, të shpresës, pavarësisht se kush është në pushtet,- përfundoi Rama.
Email This Klikime: 4
Email This Klikime: 4