Rama: S'hyjmë në Kuvend, vijojmë protestat

Edhe pas thirrjeve të europarlamentarëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për t'i dhënë fund bojkotit ndaj Parlamentit kreu i PS-së Rama theksoi se opozita nuk do të futet në Kuvend por do të vazhdojë me protestat për hapjen e kutive. Në një konferencë për shtyp Rama theksoi se bojkoti do të vazhdojë derisa të zgjidhet kriza politike në vend. Sipas tij opozita është e gatshme të dialogojë por se ajo nuk heq dorë nga bojkoti pa u hapur kutitë e 28 qershorit.
Në lidhje me miratimin e rezolutës nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës kreu i opozitës falenderoi asamblenë për miratimin duke theksuar se gjithashtu kjo asamble hodhi poshtë amendamentet poshtëruese të maxhorancës.
"Partia Socialiste falenderon asamblenë që vuri gishtin në plagë dhe miratoi rezolutën dhe hodhi poshtë amendamentet poshtëruese të maxhorancës" u shpreh Rama.
Ndërkohë Rama deklaroi gjithashtu se pas rrëzimit të paktit me Greqinë nga Kushtetuesja Berisha duhet t'i kërkonte falje shqiptarëve dhe jo ta akuzonte si antishqiptare opozitën. Sipas tij ndërkohë që Berisha merr shuplakën e 16-të nga Gjykata Kushtetuese ai guxon dhe i vërsulet opozitës me paturpësinë më të madhe.