Thaçi: Prioritet, mbështetja për komunat e reja

Kryeministri Hashim Thaçi, në një tryezë të rrumbullakët me liderë politikë, deputetë dhe përfaqësues të zgjedhur të serbëve të Kosovës, ka theksuar angazhimin që Qeveria po bën në fushën e çështjeve të komuniteteve, duke e vlerësuar atë serioz, të sinqertë dhe gjithëpërfshirës.
Në këtë takim, ku mori pjesë edhe përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, kryeministri Thaçi tha se qeveria ka marrë iniciativa të shumta për çështje të komuniteteve, nëpërmjet ligjeve, institucioneve, strategjive e planeve të veprimit.
“Ligjet bazike siç është ai për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, strategjitë gjithëpërfshirëse që trajtojnë çështjet e komuniteteve, nxjerrin në pah angazhimin e institucioneve të Kosovës për integrimin dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve”, shtoi ai.
Kryeministri Thaçi përmendi si të rëndësishëm rolin e Zyrës së Çështjeve të Komuniteteve, që funksionin që nga fillimi i mandatit në kuadër të kabinetit të tij.
Duke theksuar se kjo zyrë bashkë me Ministrinë për Kthim dhe Komunitete veprojnë si koordinatorë të programeve të Qeverisë dhe janë shtytës të zbatimit të të drejtave të komuniteteve, kryeministri Thaçi ka njoftuar të pranishmit se me qëllim të vlerësimit të zbatimit të ligjeve dhe politikave, Zyra për Çështje të Komuniteteve, sapo ka përfunduar një studim lidhur me përfaqësimin efektiv të të gjitha komuniteteve në institucionet dhe ndërmarrjet publike.
Në tryezën me përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, kryeministri Thaçi ka ritheksuar faktin se Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbështetur një numër të madh të projekteve të cilat përfshijnë banimin, infrastrukturën, arsimimin dhe promovimin kulturor të komuniteteve.
Kryeministri Thaçi është shprehur me tone shumë pozitive dhe inkurajuese edhe për pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, posaçërisht në komunitetit serb në zgjedhjet e fundit lokale në vend, duke thënë se procesi i krijimit të komunave të reja ndikon në mënyrë të drejtpërdrejt në çështjen e të drejtave, mbrojtjen dhe zhvillimin e komuniteteve, dhe për këtë arsye, mbështetja për komunat e reja dhe projekteve të tyre zhvillimore do të jenë ndër prioritetet e para të qeverisë.
Sikur transmeton Zyra e Kryeministrit, nëpërmes një komunikate shtypi, kryeministri Thaçi ka përmendur edhe rolin e Këshillit Konsultativ për Komunitete, si një kanal i drejtpërdrejtë i komunikimit ndërmjet institucioneve të pushtetit qendror dhe komuniteteve, duke garantuar përshtatshmërinë dhe efikasitetin e veprimeve qeveritare.
Po ashtu, në takim, kryeministri Thaçi ka informuar pjesëmarrësit e tryezës se Qeveria e Republikës së Kosovës ka obliguar institucionet publike të krijojnë strategjitë e tyre për t'u angazhuar me komunitetet dhe të përmirësojnë ofrimin e shërbimeve të tyre. Ato kanë zhvilluar edhe një numër të strategjive gjithëpërfshirëse, të cilat adresojnë çështjet e komuniteteve.
Në përfundim të tryezës, kryeministri Thaçi ka shprehur vlerësimin e qeverisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e gjertanishëm të ICO-së dhe të përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë.