E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Sondazhet thonë se shumica e popullit mbështet PS-në

TIRANË, 4 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste. në një takim elektoral në Shkodër, ku prezantoi investimet 10-vjeçare në këtë qark, sqaroi se nevoja për këtë cikël informues takimesh erdhi si rezultat i domosdoshmërisë për të informuar shqiptarët mbi realitetin, i cili sipas tij, nuk gjen pasqyrim në pasqyrat mediatike “të kënetës”.

“Shtysa që unë të ndërmarr këtë cikël prezantimesh të panoramës së përgjithshme ekonomike dhe të investimeve në këto 3 mandate qark për qark më ka ardhur në mënyrë të befasishme pas një mbrëmjeje shumë të paharrueshme kur pasi i kisha kaluar gjithë punët e ditës dhe kishte ardhur ora e lundrimit nëpër pasqyrat e botës, m’u desh të hyja në pasqyrat e kënetës këtu”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje reagimet që pa në disa medie mbi sondazhin e parë për zgjedhjet e 11 majit, i cili nxirrte fitues PS-në.

“Ishte shfaqja e parë e e anketimit të parë të atij sondazhistit të Presidentit Trump, i kontraktuar nga një televizion dhe isha shumë kurioz të shihja rezultatet e anketimit pasi e ndjek atë dhe është një nga më të famshmit në Amerikë dhe me një reputacion shumë të lartë. Ka arritur të shohë përtej sipërfaqes dhe për të dytën herë rresht ka parashikuar fitoren e Trump, ndërkohë që shumë sondazhe të tjera e jepni humbës”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se komentet mbi këtë sondazh ishin totalisht brenda një realiteti të krijuar nga vetë ata që komentonin në studio.

“Nuk gjej fjalë dhe akoma jam në vështirësi për të përshkruar se çfarë kam përjetuar kur shikoja ato të dhënat e anketave dhe pastaj duhet të dëgjoja komentatorët që ishin aty. Ishte e pabesueshme dhe e frikshme të mendosh se çfarë i bie këtij populli të shoh e të dëgjojë mbrëmjeve të debateve apo të komenteve politike nëpër ato pasqyrat ku një numër i caktuar njerëzish, pjesa me e madhe e të cilëve janë totalisht brenda një realiteti të krijuar nga vetë ata, arrijnë deri në atë pikë ku i pashë atë natë. Ajo befasi erdhi edhe si rezultat i faktit se nuk i ndjek që pas zgjedhjeve të 2009. Nuk shoh debate dhe emisione politike, por ndjek raportet që më bëjnë shumë shkurt kur ka gjëra të veçanta”, shtoi Rama.

Rama theksoi se nëse shumica e shqiptarëve sipas sondazhit mendon se vendi po ecën në drejtimin e duhur, komentatorët në studio e konsideronin “popullin të sëmurë”.

“Kur sondazhi tregonte se shumica mbështet PS-në, atëherë vjen komenti tjetër: ‘ose sondazhi është çmendur ose është çmendur populli’. Te pyetja se cila forcë politike mendon se do të fitojë. sondazhi tregonte një numër më të madh se ata që mbështesin PS-në, afro 57% që thoshin se do të fitojë PS-së. Sipas komentatorëve kjo tregon se problemi është edhe më i thellë, jo vetëm sëmundje, dhe çmenduri por këtu jemi në një situatë kur populli është i shitur edhe i blerë”, tha Rama.

Rama e cilësoi shifër të çmendur po ashtu teorinë se në gjithë këto vite janë 250 mijë njerëz në administratë, ndërsa shtoi se administrata publike ka më pak se 90 mijë njerëz.

“95% e titujve që vendosen në pasqyrat e portaleve që më më citojnë mua janë të shtrembëruara. Nuk besoj se është me qëllim por është përfundimisht një botë e mbyllur brenda vetes. Për shembull është prodhuar një lajm se zv.kryeministrja harxhon 10 mijë euro për të larë makinën dhe kjo përsëritet, pastaj kthehet në fakt, pastaj në faj dhe pyetet si ka mundësi?”, tha Rama.

Ndaj, kryeministri theksoi se e kondideron si shumë të rëndësishme ndarjen e fakteve dhe shifrave konkrete mbi çfarë është bërë në 10 vite në sektorë të ndryshëm të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›