E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Më shumë se 1,3 miliardë euro për qarkun e Shkodrës në një dekadë

TIRANË, 4 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se në qarkun e Shkodrës janë investuar më shumë se 1,3 miliardë euro në një dekadë.

Në një takim elektoral në qytetin e Shkodrës, Rama prezantoi investimet 10-vjeçare që janë kryer në qarkun e Shkodrës.

Vetëm në infrastrukturën rrugore, Rama theksoi se në qarkun e Shkodrës në një dekadë janë investuar çerek miliard euro (265 milionë euro), në 414 projekte.

Kryeministri nënvizoi se në këtë qark, ndryshe nga gjithë qarqet e tjera ka një gropë në 10 vjet, që është gropa e bashkisë së vjetër Shkodër.

“Deri para se Beneti të merrte detyrën ju e dini si ishte, nuk bëhej fjalë për projekte. Si bashki në një dekadë Shkodra ka marrë më pak investime jo se nuk kemi dashur ne, por se nuk kemi pasur asnjë bashkëpunim normal me bashkinë e Shkodrës. Ishte një çështje mentaliteti që shpresoj të jetë përmbysur”, tha Rama.

Kryeministri uroi që “në 11 maj Shkodra të na e japi këtë lajm se është përmbysur ky mentalitet”.

“Në fund të ditës njerëzit kur zgjedhin nuk zgjedhin dhëndrin, as krushkun, por zgjedhin kalin që do t’ua tërheqë më shpejt karrocën. Të zgjedhësh një kalë gjysmë të ngordhur se të pëlqen ngjyra dhe mos të zgjedhësh një kalë që ta tërheqë karrocën me shpejtësi se nuk të pëlqen ngjyra vetëm në Shkodër e kam parë”, tha Rama.

Rama theksoi se “një nga shumë mitet e ngritura nga këneta pa asnjë bazë është se ‘Edi Rama nuk e do veriun, veriorët'”.

“Nuk e di se si se në pemën e komplikuar të familjes sime rrënjët janë të shpërndara dhe kam rrënjë dhe në Shkodër dhe në Mirditë. Përtej të tjerave në Shkodër kam pasur njerëzit që më kanë udhëhequr dhe mentoruar si artist. Me historinë e Shkodrës kam qenë shumë i lidhur. At Zef Pllumin kam pasur privilegjin ta kem shumë mik”, shtoi Rama.

Kryeministri nënvizoi se çfarë ka bërë kjo qeveri për veriun nuk është bërë nga të gjitha qeveritë e tjera më parë.

“Nuk j’ua heq Rrugën e Kombit si iniciativë dhe përpjekje edhe pse është njëkohësisht një nga veprat më të korruptuara të historisë. Por çfarë kemi bërë ne për veriun nuk është bërë nga të gjitha qeveritë e tjera më parë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se janë bërë të gjitha akset strategjike të veriut për ta hapur veriun ndaj turizmit.

“I të gjitha akset i kemi ndërtuar ne. Ka qenë fat që kam pasur Benetin te FSHZH. Beneti ishte një nga mbetjet e pakta të së kaluarës që kishte vlerë të plotë ricikluese. Ata janë mbetje të pariciklueshme. Falë Benetit në radhë të parë janë një pjesë e madhe e akseve të asfaltuara”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se janë bërë 315 kilometra rrugë të brendshme të qarkut Shkodër në një dekadë.

“Nxirrni se çfarë kanë investuar në çerek shekulli të tjerët. Nuk ka krahasim. Si shkoje në Vermosh e në Theth? Sot 95% e territorit janë të aksesueshme ose me rrugë të bardha ose me rrugë me asfalt”, shtoi Rama.

Sipas Ramës, për qendrat shëndetësore, spitalin etj, janë 19 milionë euro, 56 projekte.

Për sportin, janë kontributet e qeverisë, qoftë për palestrat, terrenet sportive e qoftë dhe vlera që kemi kontribuar ne për stadiumin.

“Kultura, 3.5 milionë euro, duhet të jetë më shumë, duhet të shkojë më shumë dhe tani me Benetin besoj se do të shkojë më shumë’, tha ai.

“Këtu jemi tek totali. Tani shikoni investimin e përgjithshëm të qeverisë shqiptare në qarkun e Shkodrës, 1,3 miliardë euro në 10 vjet, është një nga qarqet më të financuara të Shqipërisë dhe 1,3 miliardë euro Shkodra, ju betohem, nuk i ka marrë, jo në 25 vjet më parë, por as në 40 vjet më parë”, pvrfundoi Rama.  /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›