Rama: 66 milionë euro taksa iu lanë biznesit për t’u rritur e prodhuar punësim

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëheraz kryetar i Partisë Socialiste tha sot në takimin përmbyllës të fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Shkodër, se biznesi i vogël në Shqipëri është më i përkëdheluri në rajon nga qeveria e vet pasi është pa taksa.
“Kur ne morëm detyrën paguanin të gjithë njësoj, 10%. Këtu hynin pagat e sanitareve, pagat e ministrave, pagat e deputetëve. Të gjithë këtu dhe të gjithë jepnin 10% nga paga që është sistemi më i poshtër dhe më i padrejtë, sepse 10% nga një pagë e lartë, nuk të vret aq sa të vret 10% nga një pagë e ulët kur ty ta merr shteti. Dhe ne kaluam te sistemi i taksimit të ndershëm. Kush fiton më shumë, do paguajë më shumë, kush fiton më pak do paguajë më pak dhe bëmë që 57% e të punësuarve në Republikën e Shqipërisë mos paguajnë taksë mbi pagën’, tha Rama.
Sipas tij, 93% e të punësuarve në Republikën e Shqipërisë dhe këtu janë në publik dhe në privat, të paguajnë më pak se 10% që paguanin dikur. Vetëm 7% e të punësuarve në Shqipëri paguajnë më shumë se 10% dhe ata që fitojnë më shumë, patjetër.
“Biznesi i vogël konsiderohej biznesi që merrte deri në 55 mijë euro, kishin dy fasha 35 mijë euro xhiro në vit dhe 55 mijë euro xhiro në vit. Sot, ne e kemi rritur tavanin në 100 mijë euro dhe 140 mijë euro. Me zero tatimfitim”, tha Rama.
“Çfarë ka sjellë kjo? Kjo ka sjellë që nga biznesi i vogël 100 mijë euro xhiro në vit, pa TVSH dhe pa tatimfitimin, kanë përfituar 98 mijë subjekte dhe shteti, qeveria ka vendosur vullnetarisht që 66 milion euro mos t’i marrë taksë në vit, por t’ua u lerë atyre që krijojnë një biznes, vetëpunësohen, punësojnë të tjerë dhe 66 milion euro në vit, kam përshtypjen se janë 660 në 1 dekadë, milion, apo jo, vetëm nga këta që ja kemi hequr arkës së shtetit. Pastaj vjen fasha tjetër që është biznesi deri në 140 mijë euro xhiro që ka marrë 58 milion euro, që janë 580 në mos gabohem në 1 dekadë. Pra, 660, 580 kapërcejmë miliardin e të ardhurave që në vend t’i merrte qeveria, i kanë marrë njerëzit’, vijoi Rama
Shkalla e papunësisë për gratë, vijoi Rama, ka rënë nën 10% ndërsa pjesëmarrja e grave në forcën e punës ka arritur në 70%.
“Pagat e mjekëve, sot janë 1670 euro mesatarja, ka edhe më shumë, 2000 euro do të jenë në Shqipërinë 2030, mesatare”, vijoi Rama.
Rama u ndal edhe tek shërbimet për personat me nevojat e veçanta, të cilët kanë marrë paketën e tyre të trajtimit të veçantë siç e kërkonin vetë.
“Kemi pothuajse përgjysmuar numrin e familjeve me ndihmë ekonomike dhe kemi trefishuar buxhetin për pjesën që është sot në ndihmë ekonomike”, tha Rama.
Ai vuri në dukje se për 9200 nëna në Shqipëri që janë të papuna dhe që kanë tre ose më shumë fëmijë qeveria jep 25 milion euro për t’iu paguar sigurimet shëndetësore dhe shoqërore që do të thotë që për shkak se ato nuk shkojnë në punë, se kanë shumë fëmijë nuk mund të mbeten pa pension dhe kur të dalin në pension, do të keni pension dinjitoz të mbuluar nga qeveria shqiptare.
“ Janë 227 mijë bebe që kanë marrë bonusin. ju e dini që bonusin e kemi rritur 400 euro për fëmijën e parë, 800 euro për të dytin, 1200 për tretin. Duke filluar nga viti i ardhshëm, do të ndryshojmë skemën, nuk do të jetë më një çek menjëherë në maternitet, por do të jetë një pagesë e shtrirë çdo muaj sipas numrit të fëmijëve për të ndihmuar në mënyrë sistematike familjet e reja për rritjen e fëmijëve të tyre’, tha Rama.
Kryeministri shtoi se për mësuesit paga ka shkuar në 950 euro dhe do të shkojë në 1250 euro në Shqipërinë 2030.