Rama: 300 mijë të punësuar në një dekadë, paga minimale në Shqipërinë 2030 të paktën 650 euro

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëheraz kryetar i Partisë Socialiste tha sot nga takimi përmbyllës I fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Shkodër se gjatë dekadës së fundit janë krijuar 300 mijë vende pune.
Duke dhënë shifrat që kanë karakterizuar këta dhjetë vjet, Rama u ndal tek punësimi duke theksuar se “iu ka mbetur ajo atyre, kua-kua-kua-ve “ku i ke 300 mijë vende pune”.
“Këta janë të punësuarit kur ne morëm detyrën, 1 milionë e 23 mijë dhe këta janë emër mbiemër, vend pune, paga, kontribute. Nuk janë statistika, anketa. Këta janë njerëz realë. 1 milionë e 23 mijë. Në fund të 2024-ës, pasqyra më e freskët 1 milionë e 327 mijë”, tha Rama.
“Mes kësaj dhe kësaj a janë 300 mijë të paktën se janë ik më shumë, po janë 300 mijë në mes? Ja ku janë 300 mijë. Dhe natyrisht që me aritmetikën sot jemi në hall se ka filluar një sulm dhe ndaj aritmetikës e keni parë. Ne e dënonim Lulin artistin kur thoshte 7×7, 42 edhe na dukej sikur ishte një tmerr i madh por tani është 7×7, 6 milionë dhe ka dhe një X mbrapa se nuk dihet se çfarë vjen pas atij 6 milionëshit që nuk është zbuluar akoma’, shtoi Rama.
Rama tha se paga minimale ishte 157 euro, sot është 400, në janar të 2026-es do bëhet 500 dhe në fund të mandatit, në Shqipërinë 2030 do jetë të paktën 650 euro.
Sipas Ramës, është 1000 euro sot në sektorin publik paga mesatare, dhe do shkojë 1200 euro të paktën në Shqipërinë 2030.
Kryeministri u ndal tek pensionet duke theksuar se ka 2 blloqe pensionistësh.
“Në rritjen e bonuseve, po ta shikoni e kemi marrë në konsideratë diferencën, ata që kanë pensionin nën 200, e marrin bonusin më të lartë. Ata që kanë pensionin mbi, e marrin më të ulët. Kemi rritur bonusin, kemi dyfishuar, nga një bonus kemi bërë dy bonuse dhe duam të mbajmë dy bonuse sepse kemi projeksione shumë të mira të rritjes së të ardhurave. Përsëri, nuk janë vetëm bonuset që mund të zgjidhin këtë punë, sepse kostoja do shkojë duke u rritur dhe nga ana tjetër ata do të kenë nevojë, kështu që paralelisht ne do të ecim që të arrimë t’ju japim të gjithëve pa përjashtim, para 2030, një pension minimal 200 euro. Ndërkohë që pensioni mesatar do të shkojë 400, ai i sigurimeve të plota’, theksoi Rama.