Rama: Kur morëm qeverisjen vendi rrezikonte kolapsin, ulëm borxhin publik dhe kreditë e këqija

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherëaz kryetar i Partisë Socialiste u ndal gjatë takimit përmbyllës të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Shkodër, tek disa shifra të arritura gjatë dekadës së fundit.
Ai theksoi se Shqipëria ka rritjen më të lartë të PBB në rajon. “Jemi në 109% dhe pastaj vijnë vendet e tjera. Dhe kjo nuk është pasqyra, dhe këto nuk janë pasqyra, të gjitha xhanëm, këto janë pasqyra të FMN, BB etj. Pra ne i kemi rritur me 109% PBB, mesatarja e rajonit ështe 64%’, tha Rama.
Të ardhurat për frymë, sipas tij, nga 3300 euro sot i kemi 10 300 euro. “Në 2030 do i çojmë në 15 mijë euro”, tha Rama.
Rama u ndal tek borxhi publik që ku PS mori qeverinë ishte 70 e kusur %.
“Problemi që ne gjetëm, ishte borxhi i fshehur që e kishte bllokuar ekonominë dhe dihet që njerëzit e vlerësojnë një qeveri për ato që bën. Por thuhet në një fjalë ‘’ekonomistët e vlerësojnë qeverinë për atë që nuk lejon të ndodhin’’dhe në këtë rast nuk është qeveria. Në këtë rast është populli shqiptar që në 2013, e ka shpëtuar Shqipërinë në fije të perit, duke ndërruar dorën e drejtimit, sepse Shqipëria në 2013 ka qenë në prag të një kolapsi të dytë shumë të ngjashëm me atë të piramidave, sepse ishte e bllokuar. Si ishte e bllokuar? Mbi këtë borxh, kishte një borxh tjetër rreth 700 milionë që nuk janë pak, janë shumë për Shqipërinë që ishte borxh ndaj kompanive”, tha Rama.
Rama vijoi duke theksuar se çereku i kredive në banka ishte i keq.
‘Nuk kishin mundësi kthimi dhe qëndrueshmëria e bankave ishte në rrezik. Dhe nuk ishin vetëm rrugët. Kompanitë që furnizonin spitalet, kishin ndaluar furnizimet. Ju kujtohet, ka qenë një kohë se flasin tani për ilaçë këta, ka qenë një kohë kur njerëzit rrinin varur tek kangjellat e spitaleve, me receta. Nga ana tjetër e rrugës ishin farmacitë private sepse kompanitë nuk furnizonin më spitalet se nuk paguheshin”, tha ai.
“Kemi shlyer borxhe për ilaçe, për rrugët patjetër që na mori gjithë mandatin e parë shlyerja e boxheve, rifillim punimesh dhe ato rrugë që u tenderuan atëherë, të gjitha kanë vazhduar të ndërtohen nga ne deri për shkumësat. Nuk kishte shkumësa nëpër shkolla sepse kush sillte shkumësa, nuk kishte më lekë. Kjo ishte situata në atë kohë se kalojnë vitet, natyra njerëzore është e tillë, e ka bërë Zoti për merak, që e keqja harrohet shpejt, e mira s’ka fund dhe dakord jemi me këtë. Invalidët, personat me aftësi të kufizuara nuk kishin marrë më asnjë lek. 40 milionë euro se i kam të fiksuara, 40 milionë euro i kishte shteti borxh personave me aftësi të kufizuar. Nuk jepnin më lek dilnin ata të shkretët me karrocë e me paterica i mbysnin në dru. Kjo ishte Shqipëria. Dhe sot ja ku janë kreditë e këqija. 4.2 është nivel normal, kredi me probleme që i ka gjithë bota”, tha Rama.