Reforma zgjedhore, PD kundër ndryshimit të sistemit
Ndryshimi i sistemit zgjedhor nga proporcional rajonal në proporcional rajonal me korrektim kombëtar ka gjetur tashmë zyrtarisht edhe mbështetjen e Partisë Socialiste në komisionin e reformës zgjedhore, por ende nuk po pranohet nga Partia Demokratike. Të gjitha partitë e vogla, të majta dhe të djathta, kanë kërkuar korrektimin kombëtar të votave, por rregullorja e komisionit i lejon partive të mëdha që të vendosin veton dhe në këto kushte, kundërshtimi i PD-së e bën të pamundur ndryshimin e sistemit.
Bashkëkryetari socialist i komisionit rër reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri ka raportuar dje përpara deputetëve të PS-së për ecurinë e negociatave duke pranuar se pika që ka gjetur kundërshti është pikërisht ndryshimi i sistemit. Ne kemi vijuar rregullisht punën në komisionin për reformën zgjedhore. Deri tani kanë kaluar me konsensus çështje të vogla, të cilët nuk kanë pasur kundërshtime nga përfaqësuesit e mazhorancës.
Në vijim do të flasim për çështje edhe më delikate, dhe aty duhet parë qëndrimi dhe gatishmëria e mazhorancës për të ofruar konsensusin,- mësohet të jetë shprehur Gjiknuri përpara deputetëve socialistë. Bashkëkryetari socialist i komisionit të reformës ka sqaruar gjithashtu se ditën e djeshme është miratuar në unanimitet të plotë eksperti i OSBE-së për çështjen e Kodit Zgjedhor, i cili pritet të japë sugjerimet për të përmirësuar ligjin aktual të zgjedhjeve.
Për sa i përket ndryshimi të sistemit zgjedhor, siç e dini, kërkesa e aleatëve është që të ketë ndryshim të sistemit proporcional rajonal me një korrektim kombëtar. Deri tani mazhoranca është kundër ndryshimit të sistemit. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë ndryshimin e tij në komision, kur të jetë dhe diskutimi përkatës,- ka raportuar eksperti për çështjet zgjedhore në PS.
Pas këtij raportimi, deputeti socialist i Qarkut të Shkodrës, Paulin Sterkaj, mësohet të pyetur në mbledhje nëse Partia Socialiste ka një qëndrim të sajin për ndryshimin e sistemit. Për këtë çështje është përgjigjur kreu i socialistëve, i cili ka theksuar mbështetjen ndaj propozimeve të aleatëve për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Të njëjtat burime saktësojnë se kryesocialisti ka shprehur dakordësinë për ndryshimin që duhet të ndodhin në sistemin zgjedhor, ndryshime të cilat janë kërkuar edhe nga anëtarët e Opozitës së Bashkuar.
