Rama: Studentët në bulevard pengje të grupit të zjarrit, po përdoren edhe të mitur

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, gjatë një komunikimi live në rrjetet sociale nga zyra e tij, se protestat në bulevard përfshijnë një pjesë të vogël studentësh të ekstremizuar dhe të ideologjizuar, ndërsa akuzoi organizatorët për përdorimin e të miturve gjatë përplasjeve me policinë.
“Ndërkohë që këtu në bulevard është një pjesë shumë e vogël e studentëve të ekstremizuar, të ideologjizuar dhe të verbuar nga ide ekstremiste, të cilat po shfaqen në të njëjtën formë në Paris, Romë, Milano, Torino, Portugali, Brazil, në një flamë të përgjithshme, por kjo flama jonë ka specifikën e vet”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, situata në Shqipëri është pjesë e një vale më të gjerë protestash, por ai theksoi se në vend ka edhe një përpjekje të organizuar për të penguar rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Është sa pjesë e kësaj flame të përgjithshme, nga ku merr frymëzimin dhe lëndën e parë, aq edhe pjesë e një përpjekjeje të madhe për të bërë atë që i ka ndodhur këtij vendi sa herë ka pasur shansin në histori të ngrejë kokën dhe të marrë frymë, që është më afër se kurrë ëndrrës historike. I vjen kjo formë terrorizuese murtaje, e gjitha e inskenuar”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë tha se e kupton pakënaqësinë e të rinjve dhe kërkesën e tyre për ndryshim, por sipas tij, studentët që protestojnë janë vënë nën ndikimin e një grupi që përdor dhunën.
“Rinia po, është e frustruar, e inatosur, studentët po, duan më shumë, duan ndryshim, gjithmonë e kanë dashur dhe gjithmonë do ta duan, është në natyrën e qenies së tyre, por me keqardhje të madhe them që kjo rini dhe këta studentë që janë në bulevard janë pengje të atij grupi të zjarrit atje në krye”, tha Rama.
Ai akuzoi gjithashtu organizatorët e protestës se përdorin persona të mitur si mburojë gjatë përplasjeve, duke vështirësuar reagimin e policisë.
“Të miturit si ato mburojat për të përparuar, për të marrë terren, duke ia bërë të pamundur shtetit dhe të mundur policisë që të reagojë me forcë, me fëmijë të vegjël. Aty brenda është edhe krimi”, u shpreh kryeministri.
/gj.m/a.f/ /a.g/