Pollo: Shkollat e mesme, me program mësimor modern
Ministri i Arsimit, Genc Pollo, ka deklaruar se programi mësimor i arsimit të mesëm do të jetë bashkëkohor. Sipas tij, kjo gjë nuk është arritur me arsimin 9-vjeçar dhe janë hartuar tekste të reja. Ai e bëri këtë deklaratë në konferencën e mbajtur dje në Durrës për Projektin Cilësi dhe Barazi në Arsim. "Në arsimin bazë u bënë tekste të reja. Ato janë përgjithësisht më të mira se të mëparshmet, por nuk shkuam deri në një brez të ri programesh dhe tekstesh e te një mësimdhënie-mësimnxënie moderne", tha ministri i Arsimit, ndërsa shtoi se "jemi përballë sfidës për ta bërë këtë tani, në arsimin e mesëm të lartë". Sipas ministrit, është vendosur për një strukturë të re të arsimit të mesëm të lartë, që zgjeron ndjeshëm larminë e itinerareve kurrikulare të nxënësve, duke përmbushur kështu më mirë nevojat dhe interesat e tyre. Instituti i kurrikulës aktualisht po punon për ndryshimet thelbësore të saj.