E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, "pakt" me qeverinë për Gjykatën Kushtetuese

Presidenti i Republikës dekretoi 3 emrat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ripropozon Xhoxhajn e Deden


TIRANË - Ndërsa kriza politike vlon dhe ende nuk ka zgjidhje në tryezën e Topit, ky i fundit përfitoi dje për të dekretuar në mënyrë krejt të beftë tre anëtarë për në Gjykatën Kushtetuese, përbërja e së cilës është edhe një nga kushtet e PS-së për të lënë grevën e urisë.


Edhe pse kishte paralajmëruar se dekretet e tij do të kalonin përmes një procesi krejt transparent, Presidenti i Republikës, e ka parë të nevojshme që vetëm pas dy takimesh me një grup ekspertësh në fushën juridike të firmosë për emrat e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që për partitë politike nuk janë të panjohur, pasi dy prej tyre janë refuzuar më parë nga këto të fundit.


Emri i parë i dekretuar nga Topi për anëtar të Gjykatës Kushtetuese është Bashkim Dedja. Prej dy vitesh, Dedja është përfshirë në listat e kandidaturave të Presidentit të Republikës, fillimisht për të drejtuar ILDKP-në e më pas për të qenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor.


Pikërisht në muajin korrik të vitit 2008, Dedja ishte një nga dy emrat e propozuar nga Topi për postin e ILDKP-së, por që nuk mundi të marrë votat e deputetëve të majtë, të cilët votuan kandidaturën tjetër rivale, Adriatik Llalla, i cili aktualisht vazhdon të drejtojë këtë inspektorat.


Ish-student i Dhjetorit, më pas gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së parë, Tiranë dhe prej më shumë se 10-vjetësh gjyqtar i Apelit në Durrës, Dedja u përzgjodh në një tjetër garë të rëndësishme, si anëtar i Kolegjit Zgjedhor.


Por, emri i Dedes bashkë me dy gjyqtarë të tjerë u kontestuan nga partitë e për pasojë nuk mundi që të kalojë raundin final të emërimit në këtë kolegj. Bashkim Dedja ka qenë edhe në listën e kandidaturave të shpallura nga Presidenca për anëtarë të Gjykatës së Lartë.


Emri tjetër i dekretuar nga Topi është ai i Altina Xhoxhajt. Edhe kjo e fundit nuk është e panjohur për forcat politike. Altina Xhoxhaj ishte një ndër 5 kandidaturat e Topit për në Gjykatën e Lartë.


Për këtë pozicion, në muajin qershor të vitit 2008, Xhoxhaj u rrëzua me 72 vota pro, dhe 56 kundër ashtu si edhe katër emrat e tjerë të dekretuar nga Topi me argumentin se ky i fundit nuk ishte konsultuar paraprakisht me Kuvendin. Aktualisht Xhoxhaj punon si gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë.


Ndërsa emri i tretë, është Vangjel Kosta. Ky i fundit ka qenë ish-anëtar në Gjykatën e Lartë. Prej 8 vitesh ka punuar pedagog në Shkollën e Magjistraturës, së fundi po ushtron profesionin e avokatit. Edhe Vangjel Kosta ka qenë në listën e kandidaturave për Gjykatën e Lartë në muajin korrik të vitit 2008. Tre emrat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pritet që të depozitohen sot në Kuvend.


Vetëm ditën e hënë, kryetarja e Kuvendit do të mbledhë konferencën e kryetarëve për të caktuar edhe datën se kur do të shqyrtohen kandidaturat në fjalë. Ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi zyrtar i mazhorancës, megjithatë burime paraprake thanë dje për gazetën se ka pak gjasa që kandidaturat të rrëzohen, me argumentin se PD-së nuk i intereson një konflikt tjetër me Presidentin e Republikës, në kushtet kur ka një krizë të hapur politike më opozitën.


Po më interes pritet edhe qëndrimi i opozitës. Pak ditë më parë, deputeti grevist, Fatmir Xhafaj kërkoi që emrat e rinj për në Gjykatën Kushtetuese ashtu edhe për Gjykatën e Lartë të ishin profesioniste dhe të pavarura nga ndikimet politike, si domosdoshmëri për qëndrueshmërinë e këtyre institucioneve kushtetuese dhe si kusht për arritjen e konsensusit për reforma e ligje të rëndësishme që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të së drejtës. Ky ishte edhe një ndër 6 kushtet e opozitës për të lënë edhe grevën e urisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›