Rama: T'i hapim rrugë ëndrrës europiane
Kryetari i opozitës vijoi dje takimet me vullnetarët në Shkodër dhe Pukë
TIRANË- Kryetari i opozitës, Edi Rama, ishte dje në qytetet Shkodër dhe Pukë, në vijim të turit të tij të takimeve me rrjetin e vullnetarëve. Gjatë takimit të zhvilluar në qytetin e Shkodrës, Rama u shpreh se do t'i hapet rrugë ëndrrës evropiane e marrë peng nga politika e vjetër.
"Do t'i hapim rrugë ëndrrës europiane të marrë peng nga politika e vjetër e zanatçinjve të urrejtjes e të dasive mes njerëzve të thjeshtë të këtij vendi, të cilët prej 18 vjetësh përçahen e sundohen për interesat e një politike që s'ka shpirt, s'ka sy, s'ka veshë, po veç një gojë të madhe për të premtuar gjëra që jo vetëm pastaj nuk i bën, po as që ka ndërmend t'i bëjë kur i thotë. Mbështetja që ju më jepni, më jep krahë e kurajë e kjo kurajë më jep zemër, në një rrugë ku unë jam vetëm njëri nga ju, dhe ku deri në fund do të mbetem njësoj si ju, i etur për ndryshimin që politika e vjetër e politikanëve na e mohon prej 18 vjetësh, me rregullat e marifetet e një loje interesash personale e klanore, së cilës ne, njerëzit që e duam këtë vend, do t'i japim fund",- tha Rama.
Ndërsa në qytetin e Pukës, kreu i opozitës u shpreh se mbështetja që ai gjente jo vetëm në këtë qytet, por kudo, do të bënte të mundur ndryshimin e madh. "Ne kemi bindjen se arsimimi është politika më e mirë ekonomike dhe në 4 vjet do të bëjmë për arsimimin e fëmijëve e të rinjve, aq sa politika e vjetër nuk ka bërë në 18 vjet.
Ne do ta mundim parazitizmin e detyruar, duke luftuar kudo e me të gjitha mënyrat me papunësinë dhe s'do të lejojmë që të rejat e të rinjtë të sorollaten gjithë ditën rrugëve e kafeneve, për shkak se s'kanë ku shkojnë, apo të arratisen maleve për në Greqi, apo s'kanë ku punojnë", - tha Rama në Pukë.