E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroaci-Shqipëri, vizat hiqen në fund të vitit

Në Kroaci, Berisha dhe Mesic flasin për bashkëpunim në kuadrin e energjisë nukleare


TIRANË- Kroacia po shikon mundësinë e heqjes së vizave me Shqipërinë deri në fund të këtij viti. Gjatë vizitës dyditore në Kroaci, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me Presidentin e vendit, Stjepan Mesic.

Në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë thuhet se, Presidenti kroat Mesic, i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetje të plotë për heqjen e vizave midis dy vendeve, deri në fund të këtij viti.

Gjatë takimit është diskutuar gjerësisht për anëtarësimin e dy vendeve në NATO dhe në BE. Kryeministri Berisha dhe Presidenti Mesic diskutuan, gjithashtu, për bashkëpunimin në kuadrin e energjisë nukleare.

Presidenti Mesic shprehu kënaqësinë që dy vendet respektive po bashkëpunojnë në kuadrin e energjisë nukleare, e cila, sipas tij, është më e pastra dhe më e domosdoshmja për të plotësuar nevojat e rajonit për energji, por edhe për t'i bërë të dy vendet të pavarura në aspektin energjetik.

Presidenti Mesic theksoi se përfshirja e sa më shumë vendeve në këtë projekt, garanton një mundësi më të madhe suksesi për realizimin e tij.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Mesic me diskutimet që kishte zhvilluar me Kryeministrin kroat Ivo Sanader për ecurinë e projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP). "Me Kryeministrin Sanader diskutuam dhe ramë dakord për çështje shumë të rëndësishme ekonomike, si projekti për gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) dhe projekti për energjinë nukleare, për të cilin Kroacia ka eksperienca të tjera bashkëpunimi, siç është ajo me Slloveninë, në Krecko", - tha Berisha.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›