E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, PS-ja bojkoton ambasadorët "politikë"

Mazhoranca kaloi në mënyrë të njëanshme kandidatët për ambasadorë, Valter Ibrahimin, Edmond Krakën dhe Shpëtim Çaushin


TIRANË- Situata e rëndë, në të cilën është përfshirë diplomacia shqiptare si pasojë e mosmarrëveshjeve Ekzekutiv-Presidencë, ka detyruar opozitën të bojkotojë dje mbledhjen e komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme, çka nuk ka penguar mazhorancën që të kalojë në mënyrë të njëanshme Valter Ibrahimin, Edmond Krakën dhe Shpëtim Çaushin, si kandidatët për ambasador në Gjermani, Portugali dhe Serbi.


Të tre kandidaturat e propozuara nga ekzekutivi kanë qenë të ftuar në një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, duke marrë në fund dhe pëlqimin e deputetëve të mazhorancës.


Ndërkohë që, mungesa e opozitës në këtë mbledhje duket se nuk ka qenë e papritur për deputetët e mazhorancës dhe drejtuesin e komisionit, pasi një gjë e tillë ishte paralajmëruar disa ditë më parë nga ish-ministri i Jashtëm socialist, Kastriot Islami, nëpërmjet një konference për shtyp, ku dhe deklaroi distancimin e PS-së nga një proces i tillë, të cilin ai e quajti tërësisht antiligjor dhe të ndikuar politikisht.


Ndërkohë që, në kuadër të këtij qëndrimi, deputetët socialistë i kanë bërë të ditur në mënyrë zyrtare drejtuesit të komisionit, Preç Zogaj, se nuk do të merrnin pjesë në mbledhje, në rast se mazhoranca nuk do të reagonte për kërkesat e tyre, ku përfshihet edhe bërja e një analize nga ana e qeverisë për gjendjen ku është përfshirë diplomacia shqiptare, si dhe hartimin e një platforme për daljen nga kjo situatë.


Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje edhe nënkryetarja socialiste e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, e cila në një reagim të posaçëm për mbledhjen e djeshme, ka deklaruar se si grup deputetësh socialistë, kishin kërkuar shtyrjen e seancës dëgjimore me tre kandidatët. "Ne kemi kërkuar mirëkuptimin e mazhorancës dhe pikërisht të Kryetarit të Komisionit të Jashtëm, z. Preç Zogaj, që të mos e zhvillonte seancën dëgjimore lidhur me emërimin e ambasadorëve, edhe për arsyen e thjeshtë, se ka vetëm 3 muaj deri në momentin që do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme dhe Kryeministri aktual nuk mund të emërojë ambasadorë, të cilët presupozohet se do të përfaqësojnë shtetin", - tha Dade.

Duke iu përmbajtur edhe qëndrimit që ka bërë publik më parë PS-ja lidhur me këtë çështje, Dade ka theksuar se socialistët nuk mund të bëhen pjesë e arnimeve të tilla në diplomaci, siç edhe e konsideroi ajo tentativën e qeverisë për emërimin e tre ambasadorëve të rinj.


"Ne kemi kundërshtitë tona lidhur me lëvizjet e pajustifikuara në nivel ambasadorësh. Këto nuk mund të bëhen pa një skemë totale dhe një zgjidhje përfundimtare të funksionimit dhe zbatimit të ligjit për "Shërbimin e Jashtëm".


Për këtë, opozita dhe përfaqësuesit e PS-së në Komisionin e Jashtëm, kanë kërkuar praninë e ministrit të Jashtëm, Basha, jo vetëm për problemin e emërimit të ambasadorëve, duke pasur shkelje ligjore tashmë të bëra publike edhe në raste të tjera emërimesh ambasadorësh, por edhe për një sërë dukurish në shërbimin tonë diplomatik, siç janë rastet e korrupsionit në përfaqësitë tona diplomatike, apo në zyrat konsullore", - u shpreh Dade.


Por, duke u ndodhur përpara një fakti të kryer, PS-ja shpreson tashmë tek një qëndrim pozitiv i Presidentit të Republikës, të cilit një javë më parë i ka kërkuar që të mos dekretojë asnjë kandidaturë për ambasador, deri në zgjedhje.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›