E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Tirana ndezi zjarrin e fitores. Zotimi im, legalizimet falas brenda mandatit të parë

TIRANE – Partia Socialiste zhvilloi mbrëmjen e sotme mitingun përmbyllës në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Pas fjalimeve të shkurtra të kandidatëve për deputetë, fjalën e mori kryesocialisti Edi Rama, i cili përshëndeti të gjithë qytetarët që kishin mbushur sheshin, që siç tha ai, “janë vendalinj dhe jo robër të mbledhur me autobusa”.

“Ky është miting safi me vendalinj safi dhe jo miting me robër të mbledhur nëpër autobusa. Pastaj ju e dini ne një autobus kemi, vetëm autobusin mavi. Gjithë autobusët e tjerë i ka mbledhur katragjyshi me antiplumb, për t’i mbushur me njerëz si të gjithë ju, që marrin një rrogë nga taksat e të gjithëve ne dhe që një katragjysh i marrë fund i mban peng lidhur me bukën e gojës. Ditën e dielë me numrin e bekuar 29 do t’i çlirojmë të gjithë robërit e katragjyshit”- u shpreh Rama.

Kryesocialisti nuk argumentoi programin e rilindjes dhe nuk bëri premtime elektorale, por u zotua se pas 23 qershorit, me votën për PS-në, qytetarët e Tiranës do të kenë një qeveri që do tu qëndrojë përkrah. Të vetmin angazhim që lideri i PS-së përsëriti në mitingun e Tiranës ishte legalizimi falas për zonat informate.

“Me votën tuaj për rilindjen, ju kryeqytetasit, pavarësisht prejardhjes krahinore, përkatësive partiake, përkatësive fetare, pavarësisht moshës dhe gjinisë, do të keni në krahë një qeveri që hallet tuaja do ti bëjë të vetat, problemet tuaja do ti ketë të vetat dhe unë do të jem pranë jush në çdo përpjekje. Rilindja nuk po vjen vetëm, po e sillni ju një popull i tërë. Zotimi im është se brenda mandatit të parë të gjithë ata që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre, që kanë ardhur për një jetë më të mirë, në kërkim të kësaj Amerike të vogël, do të kenë në dorë titullin e pronësisë të patundshme mbi shtëpinë, falas.”-theksoi Rama.

Më tej, duke iu referuar një mesazhi që Partia Demokratike u ka dërguar sot qytetarëve, të cilët i fton për të votuar numrin 44, Rama e akuzoi kryeministrin Berisha për mashtrime.

“Sot paradite katragjyshi më çoi dhe mua një sms, ju ftoj të votoni 44. Por nuk ka më, kush kujton 44 voton 29. Votoni thotë projektin e PD-së që të hapim 250 mijë vende pune. Pse si hape po i mbylle, aty ishte, ku i ke? Votoni thotë që pagën minimale ta bëjmë 350 dollarë, pagën e mësuesit 700, pensionin 150, ndërkohë që ata që jetojnë me pagë minimale sot kanë një pyetje, si të mbërrijnë në fund të muajit dhe si ti paguajnë listat e borxheve. Këto nuk i ha më njeri, ashtu siç nuk i ha askush premtimet për trefishimin e granteve për fermerët. Thotë japim tapitë për 6 muaj, pse nuk i dhe për 20 e kusur vite.”- deklaroi Rama.

Sipas liderit të socialistëve, Tirana do të jetë më 23 qershor kryeqyteti i Rilindjes. “Tirana do të udhëheqë fitoren e madhe e rilindjes ndaj rrënimit, të ndasisë dhe përçarjes që do të munden nga bashkimi dhe solidariteti.”-tha Rama.

“Dallimi mes nesh she atyre, është se pas katragjyshit nuk ka asgjë, ndërsa pas meje është skuadra e rilindjes”- përfundoi Rama, ndërsa ftoi një nga një në podium të gjithë kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës. 

RAMA NË “TWITTER”: TIRANA NDEZI ZJARRIN E FITORES
Në përfundim të mitingut, kryesocialisti Rama shkroi në rrjetin social “Twitter”: “E paparë Tirana, ime Tirana jonë, Tirana e të gjithë tiranasve të vjetër e të rinj, kurrë nuk do ta harroj këtë zjarr të fitores ndezur sot!”

PANDELI MAJKO: 29 ESHTE NJE HISTORI, ESHTE NDRYSHIMI, SHPRESA, ENDRRA
“Mirëserdhët në amfiteatrin e historisë. Edhe 2 ditë, edhe 2 ditë dhe masa e madhe e popullit shqiptar për ndryshim do të derdhet drejt kutive të votimit për të votuar 29-n tonë të dytë në histori. Ata e dinë mirë se nuk mundën ta blejnë votën.
Do vijnë të trokasin të premten e të shtunën me pyetjen a do na jepni votën dhe përgjigjen do ta marrin në datën 23 qershor. Ata do t’ju drejtohen me pyetjen, a do na jepni votën dhe do ta marrin përgjigjen. Ta dinë të gjithë se vota e shqiptarit nuk është votë skllevërish që shiten. Nuk do të kalojmë një rend skllavopronar.
Një përshëndetje për Prishtinën, Kosovën, Shkupin, për të gjithë emigrantët tanë dhe i ftoj që të vijnë për të votuar historinë.
Edhe 2 ditë, ne do t’i drejtohemi kutive të votimit, për të vendosur kryqin mbi udhëkryqin,që është udhëkryqi i të ardhmes së fëmijëve tanë për Shqipërinë. 29-ta është më shumë se një numër. 29 është një histori, është fundi i ndarjes ne dhe ata, është ndryshimi, shpresa, është ëndrra."

MILENA HARITO: NË DATEN 24 SALI BERISHA KA MBARUAR
“Përshëndetje të gjithëve! Përshëndetje Tirana. Përshëndetje njësia nr.10! Ju që jeni këtu e dini që ne do të fitojmë, sepse fitorja vjen nga ju. Thuajuni atyre që janë afër jush që të mos kenë frikë, sepse s’kanë asnjë arsye për të patur frikë. Ne do fitojmë, sepse absolutisht nuk kanë asnjë mundësi të verifikojnë votën. Vota është e fshehtë. Vëzhguesit tanë do të jenë aty të garantojnë votën e fshehtë. U thoni të gjithë atyre që kanë akoma frikë që kur të jenë para kutive të votimit të kujtojnë që Sali Berisha ka mbaruar. Në datën 24 Sali Berisha ka mbaruar. Votoni 29! Fitore!"

Rama-banorëve të Tiranës: Të gjithë tek sheshi “Nënë Tereza”, fitorja është e jona
Ora 18:17 - Pak orë përpara nisjes së mitingut përmbyllës në Tiranë, kryetari i PS-së, Edi Rama zhvilloi takime përshëndetëse me banorët e kryeqytetit. Lideri i socialistëve ftoi të gjithë qytetarët të mblidhen në sheshin “Nënë Tereza”, duke u shprehur i bindur për fitoren e së majtës më 23 qershor.

“Me shumë mirënjohje për gjithë përpjekjen tuaj, duke ju siguruar që gjithë ky mund i madh dhe gjithë kjo energjie e derdhur do të sjellë rilindje për vendin tonë dhe shoqërinë tonë, unë dua t’ju garantoj po ashtu që qysh tani duket qartë që fitorja është e jona. Por fitoren do ta festojmë vetëm kur të përfundojë i gjithë procesi dhe kur gjithçka do të ketë marrë fund. Deri atë moment ne do të bëjmë me mundim dhe me pasion punën që kemi marrë përsipër karshi njerëzve dhe karshi vendit. Puna e parë për tu bërë tani është që sot të jemi të gjithë tek sheshi “Nënë Tereza” për mitingun e madh të Tiranës”- theksoi Rama në njësinë numër 1 në Tiranë

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera FOTO: PS mbyll fushatën në Tiranë, Rama: Tirana ndezi zjarrin e fitores

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›