Rama: Topi e Spahiu, asnjë lidhje me PS, janë djathtas
Kreu i PS akuzon Kryeministrin Berisha se e ka çarë PD-në më tresh.
Presidenti ka në fokus pronarët dhe të përndjekurit. Ish-nënkryetari i KLD, mik i ngushtë i Azem Hajdarit
Çarja më tresh e PD-së është një fakt që e ka çoroditur ende më keq qeverinë dhe komunikimin me publikun të shumicës së mbetur në qeveri. Lufta vëllavrasëse në kampin e djathtë sapo ka nisur. Përpjekja e dëshpëruar e Kryeministrit për ta shpëtuar nga mbytja në detin e korrupsionit anijen e vet të mbingarkuar me plaçkën e piraterisë qeveritare, ka në shënjestër dy rebelët që kanë marrë pas vetes dy PD-të e shkëputura prej trupit të rrënuar të PD-së së tij. Është një luftë e re brenda llojit, ku vëllezërit e djeshëm janë bërë armiq të betuar të njëri-tjetrit. Por është po ashtu një luftë e vjetër që përsëritet djathtas me të njëjtin fajtor e protagonist kryesor, sekretarin komunist të PD-së, i cili, mu siç thotë ajo vjersha, u plak po dorë nuk hoqi nga veset që kanë përcaktuar qysh në krye të herës banalitetin e së keqes së mishëruar në lidershipin e tij në krye të Partisë Demokratike.
Presidenti i Republikës, zgjedhur forcërisht prej Saliut e shumicës së tij pesë vjet më parë në krye të shtetit, është shpallur agjent i Partisë Socialiste. Po njësoj edhe nënkryetari i KLD-së, zgjedhur po forcërisht prej të njëjtit njeri e prej së njëjtës shumicë si një demokrat i flaktë i radhëve të PD-së, është shpallur armik që punon për Partinë Socialiste. E njëjta histori që përsëritet si me armiqtë e sundimit të Saliut në vitet 90, të cilët u masakruan nga propaganda e tij asokohe dhe sot janë sistemuar në prehrin e Kryeministrit pasi u kthyen me bisht ndër shalë në PD-në e vjetër duke thirrur pa pikën e turpit Dum Babën!.
Bamir Topi ka lidhje me Partinë Socialiste aq sa çka lidhje vetë Saliu. Madje nëse Saliun e shkuara e lidh pazgjidhshmërisht njëzet e dy vjet rresht me komunizmin, pra me Partinë e Punës ku militoi me zellin e një shërbëtori karrierist, në të shkuarën e Bamir Topit ska asnjë dekik në jetën e Partisë së Punës. Nuk ka asnjë lloj lidhjeje, po ashtu, pesëvjeçari i tij në Presidencë me betejat opozitare të Partisë Socialiste, ndaj të cilave Presidenti i Republikës ka mbajtur një qëndrim indiferent në rastin më të mirë, për të mos thënë se ka mbajtur qëndrime të papajtueshme me Partinë Socialiste qoftë kur zgjodhi prokuroren e Përgjithshme me pëlqimin djathtas, po me asnjë konsultë as edhe thjesht formale majtas; qoftë kur pranoi si normale zgjedhjet e vitit 2009; qoftë kur dënoi bojkotin tonë parlamentar; qoftë kur ndenji si mur i heshtur në kohën e përçapjeve të komunitetit ndërkombëtar në selinë e tij për të ndërmjetësuar krizën politike; qoftë kur shpërfilli grevën e urisë së plot deputetëve e qytetarëve për votën e lirë; qoftë kur pa pyetur asnjëherë opozitën i propozoi Parlamentit kandidatura deri edhe të papranueshme gjykatësish kushtetues e të lartë të lidhur me Sali Berishën; qoftë kur propozoi dy kandidatura njëra pas tjetrës për Kontrollin e Lartë të Shtetit, njëri më pëdëist se tjetri; qoftë kur rimandatoi guvernatorin e Bankës së Shqipërisë duke synuar votën djathtas, që e mori, jo majtas sallës së Kuvendit, që nuk e mori; qoftë edhe më 21 janar, kur dënoi dhunën në përgjithësi, po nuk drejtoi gishtin mbi vrasësit me pushkët e shtetit dhe urdhëruesit e tyre në godinën e Këshillit të Ministrave; e qoftë për të tjera akoma, që mund të mos e kenë bërë Presidentin e Republikës të duket një dorëzanë i Saliut në krye të shtetit, sepse e vërteta është se ska qenë asnjë ditë i tillë, por që pa pikën e dyshimit e kanë përcaktuar Presidencën e tij si një Presidencë të orientuar nga vizioni dhe nga përkatësia djathtas e Bamir Topit. Të cilën edhe kur ishte në nënkrye të PD-së e ka shfaqur gjithnjë me një ton e me një sjellje tjetër nga e përgjithshmja, por pa dalë asnjëherë si i përveçëm. Kaq e vërtetë është kjo e fizionomisë së djathtë të Presidencës së tij, sa edhe meraqet e pakta politike që ai ka shprehur si President duke stonuar me korin e PD-së, kanë qenë vijueshmërisht meraqe të një politikani të djathtë. Bamir Topi asnjëherë se ka fshehur as si President se angazhimi i tij politik ka në fokus pronarët, të përndjekurit e regjimit komunist dhe në përgjithësi vlerat e pikëpamjet e asaj pjese të shoqërisë që zemrën e ka djathtas.
Nga ana tjetër, Kreshnik Spahiu ka lidhje me Partinë Socialiste po aq sa çka pasur miku i tij i ngushtë Azem Hajdari, me të cilin kryetari i kuqezinjve ngjiti shkallët e militancës politike në gjirin e PD-së dhe të cilit i ngjan shumë sot në retorikën nacionaliste. Njësoj si Azemi ai zhonglon mjeshtërisht me turmat e të dëshpëruarve dhe nuk harron asnjëherë të thotë se mbron edhe interesat e ish-komunistëve të ndershëm, paçka se qoftë përkatësia e tij politike, qoftë e gjithë shfaqja kuqezi që u ofron shqiptarëve, janë produkt i ideologjisë të së djathtës shqiptare të thuajse 100 vjetëve më parë. Nënkryetari i KLD u rebelua politikisht jo sepse ka ndonjë fije që e lidh me opozitën e sotme e aq më pak me Partinë Socialiste, po sepse si shumëkush në Partinë e vjetër Demokratike e gjeti veten jashtë rrethit të stërngushtuar të interesave të oborrit familjar e klanor të Saliut. Sbëj në këtë pikë asnjë aluzion negativ për motivet e rebelimit të tij, kjo sështë në metodën time të gjykimit. Por thjesht nënvizoj se Aleanca Kuq e Zi as ka ndonjë lidhje me Partinë Socialiste, as përbën një stacion ku duhet të ndalojë cilido shqiptar që zemrën e ka majtas dhe nuk do të luajë me votën e vet bixhozin që shumëkush luajti në vitin 2009 duke e hedhur atë jashtë kutisë së koalicionit të Partisë Socialiste.
E vërteta është se qoftë partia e re e Bamir Topit, qoftë Aleanca Kuq e Zi, nuk lindin nga një komplot majtas, siç do të mundohet deri në fund ta tregojë së prapthi arsyen e lindjes së tyre përçarësi e sunduesi i sotëm i Shqipërisë me të gjithë lukuninë e altoparlantëve të tij. Ato lindin qartësisht nga një çarje më tresh djathtas në kushtet kur, praktikisht e faktikisht, Partia e vjetër Demokratike ka tradhtuar jo vetëm arsyet madhore të lindjes së saj në vitin 1990, po edhe të gjitha idealet e interesat e zgjedhësve të saj të palidhur me fijet e sotme të interesave ekonomike të uzurpatorit të kahershëm të asaj partie, Sali Berishës. Partia e vjetër Demokratike ka tradhtuar pronarët dhe ka bërë me pronën një mishmash të llahtarshëm për nga thellësia e korrupsionit. Ka tradhtuar të përndjekurit politikë dhe ka bërë me vuajtjet e tyre të jashtëzakonshme një teatër të stërzgjatur dy dekada. Ka tradhtuar të ardhurit në periferitë e qyteteve me të mëdha dhe ka bërë me premtimin e pambajtur të legalizimeve një krim të dyfishtë, sa në kurriz të integritetit të territorit të vendit aq edhe në kurriz të atyre vetë. Ka tradhtuar shtresën e mesme tek e cila gjeti mbështetjen jetike në rrugëformimin e saj kundër regjimit të vjetër dhe ka bërë me administratën e shtetit një batërdi primitive, duke shkatërruar shtetin e duke marrë peng dinjitetin e çdo rrogëtari në këmbim të bukës së gojës. Ka tradhtuar studentët, që i ka lënë në po atë Qytet mizerabël Studenti ku revolta antikomuniste lindi Partinë Demokratike dhe ka bërë me universitetin një katrahurë barbare që jep pa kriter e as karar vagonë me diploma papunësie. Ka tradhtuar parimet e tregut të lirë dhe ka bërë me monopolet, me klientelat qeveritare e me pazaret e vetë qeveritarëve në dëm të interesit publik, një monument të korrupsionit që titullohet sot Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ka tradhtuar lirinë e shprehjes që bëri të mundura energjitë që i dhanë jetë vetë partisë së parë opozitare shqiptare pas gjysmë shekulli absolutizmi komunist dhe ka krijuar përmes abuzimit me atë liri monstrën e lirisë së shpifjes, e cila po e zhyt shoqërinë, vit pas viti, në një moçal gënjeshtrash e rrënimi moral. Por Partia e vjetë