E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tekstet, shpërndarja nga botuesit

• Vonesat dhe parregullsitë në shpërndarjen e teksteve shkollore, por edhe korrupsioni në drejtoritë arsimore rajonale kanë çuar në ndryshimin e vendimit

“Për botimin shtypjen dhe shpërndarjen e teksteve shkollore të arsimit parauniversitar”. Qeveria vendosi dje me propozim të MASH, që t’i jepet fund praktikave abuzive. Janë ndryshuar e kanë pësuar shtesa 4 pika të vendimit të mëparshëm. “Tekstet blihen me fondet e buxhetit të shtetit, shpërndahen nga botuesit drejtpërdrejt në shkolla dhe ruhen në bibliotekën e shkollës, si pronë e saj”. Ka ndryshuar fjalia e dytë e pikës 3. Ndërkaq në pikën 4 është shtuar një paragraf i ri. “Çmimet e teksteve shkollore, të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, indeksohen çdo vit, në përputhje me rritjen e inflacionit, me çmimin e letrës dhe të përbërësve bazë të kostos së tyre, të publikuara nga INSTAT-i”, thuhet në këtë paragraf. Një tjetër ndryshim i vënë në praktikë tashmë nga MASH ka të bëjë. “Ministria e Arsimit dhe Shkencës, fondet e miratuara për kompensimin e çmimit të teksteve shkollore ia jep blerësit/nxënësve, për blerjen e teksteve shkollore si “transfertë tek individët”, është ndryshimi që i është bërë pikës 6 të vendimit. Sipas vendimit të djeshëm, procedurat e përdorimit dhe të shpërndarjes së fondeve buxhetore, të miratuara si “transfertë tek individët”, do të përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Këtë vit rimbursimi i librave arriti në masën 90 për qind, por  pati ende pakënaqësi nga politikanë të PS. Ndërsa një vit më parë ai ishte vetëm 73 për qind, dhe askush nuk ngriti zërin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›