E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhë ShqipStarShou!

• ZHAKU

 Mirëmëngjesi të gjithëve!  Sot, drejtpërdrejtë nga gazeta “Panorama”, do t’ju njoftojmë rreth klasifikimit të institucioneve shqiptare gjatë mandatit. Në ndryshim me Paradat e Stareve të Botës, ne, numërimin tonë nuk do ta nisim nga më i keqi, por nga më i miri! Ne, jemi POZITIVË!
1. Institucioni më i lavdë-rueshëm gjatë këtij mandati ka qenë Televizioni Publik Shqiptar, i cili e ka përforcuar edhe më kontributin e vet në mbajtjen gjallë të mentalitetit kooperativist shqiptar. Edhe dashnori im këtë mendim ka.
2. Pas TVSH-së, shohim të renditet me pothuajse të njëjtin nivel vlerësimi, Ministria e Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Turizmit, e cila me lëvizjet e saj të fundit si: investimi i një buxheti të majmë në gënjeshtrat rreth turizmit shqiptar që do të transmetohen në CNN, me rikoshetat futbollistike dhe me financimin e çdo kabareje të mundshme, po kontribuon në mënyrë të admirueshme në sakatimin e çdo vlere! Kur dashnori im pa spotin e Shqipërisë në CNN, më tha: Zemra, po Tironën e hallakatme, Detin e Zi të Durrësit, Petroliferën e Vlorës, autostradën madhështore Rrëshen – Kalimash, kodrat e Gërdecit, liqejtë e Farkës, spitalet e Shqipërisë, pse nuk i kanë nxjerrë te reklama, po kanë nxjerrë vetëm detin e Greqisë dhe Italisë, liqenin e Maqedonisë, malet e Malit të Zi e të Jugosllavisë, si dhe Miss Universet te pazari i Krujës si dhe kalatë e heronjve të Janinës e Turqisë? E si mund t’i përgjigjesha unë dashnorit tim në ato çaste?!
3. Një tjetër institucion për t’u duartrokitur është Këshilli Kombëtar i Mediave.
Me Louis Vuiton dhe taka Prada, KKRT-ja nxiton për në zyrën e saj me ankthin për të parë telenovelën e mëngjesit, të lexojë thashetheme të ndryshme të një niveli shuuuuumë të lartë, të dëgjojë këngëtarët piratë shqiptarë!
4. Nxitimthi shohim të afrohet edhe e kualifikuara e radhës e Paradës sonë simpatike. Është Ministria e Begatisë dhe Pjellorisë, pra Ministria e Bujqësisë, e cila ia doli më së miri ta shndërrojë të gjithë jeshillëkun e Shqipërisë në zhavorr e beton arme! Dashnori im doli një ditë për pazar tek tregu fshatar! U kthye në shtëpi me një qeskë bar! Më tha: Ky ishte i vetmi perim vendi, zemër.
5. Dhe e shoqëruar nga një puhizë e lehtë smogu, e mbathur me një pëlhurë të vrenjtur pluhuri, ngjit shkallët e klasifikimit Ministria e Mjedisit, e cila kontribuoi më së miri gjatë gjithë strehimit të saj te Rruga e Durrësit, duke shtuar breza të rinj dredhësash zinxhiri! Dashnori im ka një shok që është aq i zoti në këtë punë, saqë dredh 7 zinxhirë njëkohësisht. Mbahet si më i zoti në këtë sport të ri. Ai, meqë nuk ka asnjë arsye për të qenë ndërkombëtar, pasi nëpër botë zinxhirët që dridhen janë bërë dixhitalë, ka themeluar Federatën e Zinxhirdredhësve Shqiptarë.
6. E kush tjetër do të mund të ndodhej në këtë pozicion, përveçse Ministrisë së Brendshme! Ajo, është një tjetër institucion për t’u vlerësuar! Pasi u bleu kominoshe sipas të gjitha standardeve përsëmbari policëve të saj, u mësoi edhe se si shkruhet gjoba!   
7. Ministria e Integrimit meriton të vlerësohet për dinamikën e lëvizjeve të saj nga njëra godinë në tjetrën, por ama duhet kritikuar për lokalitetin e spostimeve, nga njëri trotuar në tjetrin.
8. E kush tjetër përveç Ministrisë së Jashtme do të pozicionohej këtu! Ministri, e cila u kujdes që imazhi i Shqipërisë kur të shkojë jashtë shtetit, të ketë sa më pak dekoltera, shalë e llërë të zbuluara. Ministrisë së Jashtme i njohim meritën e përmirësimit të imazhit të Mëmëdheut nga: një plakë e mbathur e veshur deri në fyt me halle, borxhe, armë e injorancë, në: një vajzë të re të mbathur me hallet e së ëmës, borxhet e të atit, armët e të vëllait dhe në injoranten e shekullit! Dashnori im, sapo më braktisi për këtë Misin L
9. Ministria e Shëndetësisë radhitet në këtë pozicion, meqë po kontribuon në kultivimin e mjerimit të pashërueshëm shqiptar, duke ruajtur me devotshmëri të lartë çdo pllakë spitali të shekullit të kaluar, çdo mur, çdo godinë, çdo shtrat, çdo parking, çdo centimetër mjerim të shërbimit shëndetësor shqiptar!        
10. Dhe teksa i afrohemi Batakut, ndeshemi me pozicionin nr.10, i cili sheh si pronare Ministrinë e Arsimit, që përkrahu maksimalisht rritjen e kostove të shkollimit, deri në pamundësi. Duke u dhënë kënaqësi të gjithë filantropistëve të emblemave luksoze, pra Shqiptarëve, ta blejnë sa më shtrenjtë Damkën e të qenit me SHKOLLË!
Kaq për sot! Klasifikimin e dhjetëshes së dytë do ta lexoni të enjten tjetër! Dashnori im u dërgon të fala dashnoreve tuaja!
Deri atëherë... nëse ndeshni ndonjë dramëzë rrugës, futeni në xhep. Ajo do t’ju bëjë bosa! Sepse, siç thotë Zhaku tek Kopirajti, Drama e Pasuron Njeriun!
kuzhakuzha@gmail.com
http://inidagjatazhaku.wordpress.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›