E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Trafiku i paligjshëm është riaktivizuar

"Shteti është i kapur nga të katërta anët". Me këtë konstatim u shfaq dje para medias kreu i opozitës, Edi Rama, teksa komentoi tragjedinë e fundit në ujërat e Butrintit. Sipas tij, në sytë e Policisë së Shtetit u zhvillua këtë radhë shfaqja makabre e një tragjedie, e cila përsëri ka përgjegjës të drejtpërdrejtë shtetin që mungon. "Qeveria i ka lënë punët e shtetit për të bërë punët e klanit ‘Berisha‘ dhe Kryeministri është tërësisht i përfshirë në konfliktin e tij privat me institucionet", theksoi Rama. Përsëri, shtoi ai, të tjera familje shqiptare duhet të qajnë dhe të vajtojnë humbjen e të dashurve të tyre, për shkak se shteti nuk siguron dot jetën e njerëzve, nuk e mbron dot, nuk bën asgjë që njerëzit të kenë një jetë të mbrojtur, të sigurt dhe me dinjitet. "E pra, nëna, foshnja e saj dhe djali i humbur në përpjekjet për t‘i ikur një varfërie të skajshme, janë të tjerë dëshmitarë të një sakrifice të patolerueshme, për shkak të një shteti që është tërësisht i paaftë për të mbrojtur qytetarët e qytetaret e tij, për t‘u garantuar atyre punë, mirëqenie dhe perspektivë", nënvizoi lideri socialist. Ai argumentoi se varfëria e pangushëllueshme, po shtyn përsëri familje shqiptare në rrugën e arratisë, ku përsëri pati viktima, viktima të një ëndrre të mbytur thjesht, sepse të mbetur pa punë e pa shtëpi, u duhej ta kërkonin gjetkë mbijetesën e tyre. Nga ana tjetër, tha Rama, kjo tragjedi është shprehje shembullore e asaj që ndodh sot në Shqipërinë e kapur nga të katërta anët prej korrupsionit, sepse ata njerëz të shkretë u mbytën në një tjetër vrimë të zezë të korrupsionit. "Një korrupsioni shtetëror, sepse shtetit, përmes forcave të sigurisë dhe të rendit, i është mbyllur një shteg normal kalimi, jo për matanë, por për një anë tjetër të Shqipërisë, 25 km larg kufirit, për të hapur një shtet të paligjshëm kalimi, ku sigurisht të shkretët njerëz duhet të paguajnë", vijoi ai. U desh kjo tragjedi, u shpreh Rama, që kjo vrimë e zezë e korrupsionit të dilte në dritën e diellit dhe të bashkohej me gjithë këto vrima të zeza që i shohim në të katërta anët e vendit dhe sektorët e jetës. "Por ky korrupsion dhe ky trafik i paligjshëm nuk ka filluar as dje, as pardje. Dëshmitarët flasin për një korridor të hapur prej muajsh", theksoi Rama. Një korridor që, sipas socialistëve, ishte hapur dhe mbikëqyrej nga ata që duhet të mbronin jetën e njerëzve dhe gjithashtu integritetin e shtetit në lidhje me veprimtarinë e paligjshme që zhvillohej aty. "Mos të harrojmë që jemi në periudhën e detit të ngrirë për lëvizjen e lirë të mjeteve. Jemi nën një moratorium, për të cilin Kryeministri i vendit ka shitur shumë mend dhe ka penalizuar shumë subjekte e individë, duke u marrë shqiptarëve detin e tyre dhe duke e kthyer këtë det nga një burim mirëqenieje, siç është në të gjitha vendet që kanë det, në një peng të propagandës qeveritare", sqaroi Rama. Kjo, shtoi ai, është shprehje tjetër e dhimbshme e kohës që jetojmë nën këtë Kryeministër dhe nën këtë qeveri. "Sali Berisha është përgjegjës i drejtpërdrejtë për këto që ndodhin dhe po kaq të papërgjegjshëm janë tellallët e tij të paturpshëm", deklaroi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›