Topi ngushëllon familjarët e viktimave të Butrintit
Presidenti i Republikës u ka dërguar një telegram ngushëllimi familjarëve të viktimave të tragjedisë së dhimbshme në liqenin e Butrintit. Në mesazhin e tij, Presidenti Topi u shpreh familjarëve të viktimave ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e papritur të të dashurve të tyre. "Më lejoni që të jem pranë jush në këto momente dhimbjeje të thellë për familjet tuaja", shkruan Presidenti i Republikës në mesazhin e tij. "Uroj që të gjeni forcën e duhur për ta përballuar këtë tragjedi që na preku të gjithëve"! - ka theksuar më tej kreu i shtetit, në mesazhin e tij të ngushëllimit. Në qendër të sulmeve të politikës gjatë këtyre ditëve kanë qenë institucionet e shtetit dhe pikërisht qeveria, e cila nuk është e aftë t‘u sigurojë shtetasve të saj një jetë më të mirë në vendin e tyre, për të shmangur kalimin e kufijve në mënyrë të paligjshme dhe mjaft fatale për një pjesë të mirë të shqiptarëve. Mungesa e dorës së shtetit dhe pafuqia e tij për të zgjidhur lëvizjen e lirë të shqiptarëve, po i detyron këta të fundit të përballen çdo ditë e më dendur me fatkeqësi të ndryshme, të cilat kanë një çmues të përbashkët, mbijetesën. Në mbrëmjen e 19 tetorit, një varkë peshkimi është përmbysur në ujërat e liqenit të Butrintit, duke rrezikuar jetën e më shumë se 27 shqiptarëve, të cilët ndodheshin në të, me shpresën se do të kalonin liqenin dhe më pas tokën shqiptare për t‘iu afruar kufirit grek. Synimi i tyre ka qenë kalimi klandestin në tokën helene, me qëllim gjetjen e një jete më të mirë matanë kufirit. Kjo u vërtetua edhe nga kushtet shumë të vështira në të cilat jetonin pjesa më e madhe e bashkëqytetarëve tanë, që për t‘i shpëtuar varfërisë së tejskajshme kanë marrë atë rrugë të rrezikshme për t‘u larguar nga vendi ynë. Por fati nuk ka qenë në anën e tyre natën e 19 tetorit. Varka e peshkimit është përmbysur, duke shënuar të paktën deri më tani 4 viktima, mes tyre dhe një grua 22 vjeçe dhe një fëmijë vetëm 3 muajsh, ndërkohë që një i ri 17-vjeçar rezulton i humbur.